Mazhoranca nuk përjashton mundësinë e hapjes së listave të deputetëve 100 përqind, por vijon të këmbëngulë te qëndrimi se listat e hapura nuk mund të shkojnë me formulën aktuale të koalicioneve parazgjedhore.

“Koalicionet parazgjedhore me lista të përbëra sikurse janë aktualisht, duket se janë nxitja më e madhe për rreshtimin e sa më shumë partive të tilla si vagona bosh pas lokomotivës së partisë së madhe. Procesi zgjedhor i vitit 2017 e konfirmon këtë konstatim. Koalicionet parazgjedhore me lista të përbëra nuk u zbatuan në këtë proces çka çoi në reduktimin drastik të partive në fletën e votimit në vetëm 18. Gjithësesi, edhe në këtë rast, 9 prej tyre morën më pak vota se numri i detyrueshëm i themeluesve”, tha Damian Gjiknuri.

Gjiknuri flet edhe për pabarazi që sjell sistemi aktual i koalicioneve për partitë.

“Vlen të theksohet edhe një element tjetër, ai i pabarazisë që krijojnë koalicionet parazgjedhore me lista të përbëra mes vet partive të vogla. Partitë e vogla që garojnë jashtë koalicioneve duhet të arrijnë së paku pragun prej 3% të votave të qarkut që të mund të përfshihen në ndarjen e mandateve. Partitë e vogla që bëhen pjesë e “trenit” të partive të mëdha përjashtohen nga ky rregull duke u favorizuar. Si përkthehet kjo konkretisht”.

PD tregoi dje edhe një shembull se si mund të jetë fleta e votimit.

Sipas Gjiknurit, formula që propozon opozita krijon konfuzion tek votuesit. Po ashtu sipas tij zgjatet në kohë edhe procesi i numërimit ndërsa është e pamundur përfshirja e teknologjisë në zgjedhje.

Klan Plus