“Nuk kam informacione se janë përfshirë politikanë”

Maqedoni – Kryeprokurorja Speciale në dorëheqje, Katica Janeva, është paraqitur në Prokurorinë Themelore për krim të organizuar dhe korrupsion, në cilësinë e dëshmitares për rastin e njohur si “Zhvatja”. 

Prokurorja Janeva mes të tjerash tha se nuk ndihet fajtore dhe se nuk ka informacione nëse në rastin “Zhvatja” janë të përfshirë edhe politikanët.

Për dallim nga konferenca për media që e pati disa javë më parë, ku shihej se ishte në humor jo të mirë, kësaj radhe Janeva dukej më e qetë. Erdhi në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë, madje edhe u ndal dy herë për të folur rreth rastit “Zhvatja”. Para se të hyjë në prokurori, nuk dha shumë detaje.

“Sa i përket rreth deklaratës time sot, shpresoj se me argumentet e mia dhe me deklaratën time do ta përshpejtoj hetimin”.

Pasi doli, avokati i saj tentoi që ta ndalte. “Nuk je duke dhënë deklaratë para autoriteteve”.

Ajo u përgjigj në disa pyetje, por gjithmonë duke u mbrojtur se nuk mund të flasë më shumë për shkak procedurës hetimore.

“Bëhet fjalë për dy telefona që i kam përdorur, të dy janë marrë dhe janë dorëzuar për analizë në prokurori”.

Ajo nuk deshi të përgjigjet në pyetjen se a ka politikan të përfshirë, kurse nuk e di as se ku është Orce Kamçevi, i dyshuari kryesor në rastin “Perandoria” me të cilin Janeva thotë se ka folur për ta bindur për të nënshkruar marrëveshje. 

Tv Klan