Krerët e shteteve dhe qeverive nga dhjetra vende mbërritën në Jerusalem për të shënuar 75-vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit të Aushvicit në Poloni.

Ceremonia përkujtimore në Jerusalem, mbahet në kohën kur sulmet kundër hebrenjve kanë shënuar rritje në Evropë dhe në mbarë botën.

Në mesin e pjesëmarrësve janë Presidenti rus Vladimir Putin, ai francez Emmanuel Macron, Princi i Britanisë së Madhe Charles, zv/Presidenti i SHBA Mike Pence si dhe Presidentët e Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë.

Forumi Botëror i Holokaustit është tubimi më i madh në përkujtim të Holokaustit dhe luftimit të antisemitizmit në ditët moderne.

Sidoqoftë, Presidenti polak, Andrzej Duda, nuk pranoi të marrë pjesë, në shenjë pakënaqësie që nuk iu lejua të marrë fjalën, ndërsa përfaqësuesit e Rusisë, Francës, Britanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë do të mbajnë fjalime.

Organizatorët izraelitë thanë se vetëm katër aleatët e Luftës së Dytë Botërore dhe Gjermania do të flasin në këtë ngjarje.

Më shumë se 1 milionë njerëz, shumica e tyre hebrenj, u vranë në kampin e përqendrimit Aushvic-Birkenau gjatë okupimit të Polonisë nga Gjermania naziste.

Gjashtë milionë hebrenjë u vranë gjatë Holokaustit.

Në një pritje që organizoi në prag të tubimit, presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që “të lënë historinë për historianët”.

“Roli i liderëve politikë është të formësojmë të ardhmen”, tha Rivlin.

“Shpresoj dhe lutem që udhëheqësit e botës do të qëndrojnë të bashkuar në luftën kundër racizmit, antisemitizmit dhe ekstremizmit, në mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave demokratike. Kjo është sfida jonë. Kjo është zgjedhja jonë”, tha ai.

Para forumit, deklaratat e liderëve botërorë flisnin për një angazhim të shtuar në shuarjen e një klime, për të cilën disa thanë se sjellë në kujtesë atë të para Luftës së Dytë Botërore.

Unë theksoj shpresën time të zjarrtë, që me vigjilencë të vazhdueshme dhe edukim pozitiv, ligësitë e kryera gjatë periudhave më të errëta në historinë tonë do të eliminohen nga faqja e dheut”, shkroi Papa Françesku.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dënoi antisemitizmin në nivel global.

Këtë luftë kundër antisemitizmit, unë e udhëheq çdo ditë duke e trajtuar atë në fjalime, në sjellje, në internet”, tha Macron.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, përmendi në mënyrë të veçantë “plagën e antisemitizmit dhe urrejtjes, e cila edhe një herë po bëhet shumë e zakonshme”.

“Vrasja e gjashtë milionë hebrenjve nga regjimi brutal dhe antisemitik nazist filloi me një erozion të ngadaltë të të drejtave dhe normalizimin e diskriminimit. Ne nuk mund të lejojmë që kalimi i kohës të zvogëlojë vendosmërinë tonë për të mos lejuar që tmerre të tilla të ndodhin përsëri”, shkroi ai.

Ngjarja shënon një nga tubimet më të mëdha politike në historinë e Izraelit.

Më shumë se 10,000 oficerë policie u vendosën në Jerusalem, ndërsa autostradat kryesore dhe pjesë të mëdha të qytetit ishin mbyllur përpara fillimit të ceremonisë. /REL