Prishtina dërgon zyrtarët e Bankës Qëndrore
Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarë të Bankës Qëndrore në takimin që do të zhvillohet të martën në Bruksel ku do të diskutohet çështja e dinarit.
Në një përgjigje nga Banka Qëndrore thuhet se zyrtarë të saj kanë shprehur gatishmërinë që të angazhohen dhe takohen edhe me përfaqësues të Bankës Popullore të Serbisë.
“Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës prej kohësh ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe të takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë. Në këtë kuptim, i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”.
Por në këtë takim nuk dihet nëse do të ketë zyrtarë të Bankës Popullore të Serbisë pasi që në këtë shtet kanë deklaruar se shefi i Zyrës për Kosovën dhe kryenegociatori Petar Petkoviç, do ta përfaqësojë Serbinë. E nga qeveria e Kosovës nuk ka përgjigje nëse dikush do të udhëtojë në Bruksel.
Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislmi, ka referuar Tv Klan që përgjigjen ta marrë në Bankën Qëndrore.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të cilit i ishte dërguar ftesa nga Brukseli ditë më parë ka konfirmuar se ai nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
Tv Klan