Raportim Live

“Nuk do ta godasim nesër…”, Trump: Asnjë armë bërthamore për Iranin!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka njoftuar se ka pezulluar sulmin ndaj Iranit, i cili sipas tij ishte planifikuar për nesër, pasi aktualisht po zhvillohen “negociata serioze”. Trump deklaroi se vendimi erdhi pas kërkesës së Emirit të Katarit, princit të kurorës së Arabisë Saudite dhe presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Kam udhëzuar Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Daniel Caine dhe Forcat e Armatosura të SHBA-ve që të mos kryejnë sulmin ndaj Iranit të planifikuar për nesër”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth.

Ai theksoi se marrëveshja që po negociohet duhet të ketë si kusht kryesor që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.

“Kjo marrëveshje do të përfshijë, gjëja më e rëndësishme, ASNJË ARMË BËRTHAMORE PËR IRANIN! Për shkak të respektit që kam për liderët e përmendur, kam urdhëruar që sulmi të ndalet, por gjithashtu kam dhënë udhëzime që ushtria amerikane të jetë gati për një sulm masiv ndaj Iranit në çdo moment, nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme”, thotë Trump.

Emiratet e Bashkuara Arabe/ Rikthehet energjia në centralin bërthamor Barakah pas sulmit me dron

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka bërë të ditur se është rikthyer furnizimi me energji elektrike nga rrjeti i jashtëm në Njësinë 3 të centralit bërthamor Barakah në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas sulmit me dron që shkaktoi zjarr një ditë më parë.

Sipas IAEA-s, rikthimi i energjisë konsiderohet një hap i rëndësishëm për sigurinë bërthamore, pasi reaktori nuk do të ketë më nevojë të funksionojë përmes gjeneratorëve emergjentë me naftë.

Drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Grossi, përshëndeti zhvillimin dhe ritheksoi se centralet bërthamore nuk duhet të jenë objektiv i sulmeve ushtarake.

“Objektet bërthamore dhe instalimet e tjera të rëndësishme për sigurinë nuk duhet të sulmohen kurrë nga aktivitete ushtarake”, deklaroi Grossi.

Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë raportuar për viktima, ndërsa hetimet mbi incidentin janë ende në vazhdim.

download app

Presidenti i Iranit: Dialogu nuk do të thotë dorëzim

Masoud Pezeshkian tha se Teherani “hyn në dialog me dinjitet, autoritet dhe duke ruajtur të drejtat e kombit”.

“Dhe në asnjë rrethanë nuk do të tërhiqet nga të drejtat legjitime të popullit dhe të vendit”, shkroi presidenti iranian në X.

“Ne do t’i shërbejmë popullit me logjikë dhe me të gjitha forcat tona deri në fund, dhe do të mbrojmë interesat dhe nderin e Iranit.”

Irani i dërgon propozime të reja SHBA-ve

Irani u dërgoi Shteteve të Bashkuara një propozim të ri paqeje me kushte që duken të ngjashme me ofertat që Uashingtoni i kishte refuzuar më parë. Megjithatë një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se SHBA-të kishin zbutur qëndrimet për disa çështje. Oferta iu dërgua Uashingtonit nëpërmjet Pakistanit.

Propozimi iranian, dukej i ngjashëm në shumë aspekte me ofertën e mëparshme të Iranit, të cilën Trump e hodhi poshtë javën e kaluar duke e quajtur mbeturinë.

Do të përqendrohej së pari në sigurimin e përfundimit të luftës, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e sanksioneve detare.

Çështjet më të diskutueshme rreth programit bërthamor të Iranit dhe pasurimit të uraniumit do të shtyheshin për raunde të mëvonshme bisedimesh sipas Reuters.

Sipas një zyrtari iranian Shtetet e Bashkuara kishin rënë dakord të lironin një të katërtën e fondeve të ngrira të Iranit, që arrijnë në total dhjetëra miliardë dollarë , të mbajtura në banka të huaja. (Lexo më shumë)

Trump: Irani e di se çfarë do të ndodhë së shpejti!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i tha gazetës The New York Post se Irani e di “çfarë do të ndodhë së shpejti”, ndërsa shprehu zhgënjim për përgjigjen më të fundit të Teheranit ndaj propozimeve amerikane për t’i dhënë fund luftës.

Trump u pyet lidhur me deklaratat e tij të së premtes, kur kishte lënë të kuptohej se ishte i hapur ndaj një pauze 20-vjeçare të programit bërthamor iranian.

“Nuk jam i hapur për asgjë tani”, u përgjigj ai.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se “SHBA-të dhe regjimi izraelit duhet të mbahen përgjegjës nga komuniteti ndërkombëtar për aktet e agresionit ndaj Iranit dhe pasigurinë e krijuar në rajonin e Gjirit Persik”, raporton agjencia Tasnim.

Sipas medias iraniane, diplomati i lartë i Teheranit i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Hyun.

Irani i ka dërguar Shteteve të Bashkuara një propozim të ri paqeje përmes Pakistanit, me kushte që duket se janë të ngjashme me ofertat që Washingtoni i kishte refuzuar më herët. Megjithatë, një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se SHBA-të ka zbutur qëndrimet për disa çështje.

Të paktën 3 020 persona janë vrarë dhe 9 273 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në të gjithë Libanin që nga 2 marsi, sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, raporton Al Jazeera.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee ka lëshuar një urdhër për zhvendosje të detyruar për komunën Burj Shemali, disa kilometra larg qytetit Tyre në jug të Lebanon, sipas Al Jazeera. Adraee u ka kërkuar banorëve të Burj Shemali të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre, pasi ushtria izraelite po përgatitet të “veprojë me forcë” kundër Hezbollah.

Turqia kërkon marrëveshje urgjente mes Iranit dhe Amerikës

Fidan & Merz

Turqia beson se nuk ka asnjë arsye që Shtetet e Bashkuara dhe Irani të mos gjejnë gjuhë të përbashkët përmes negociatave, raporton Reuters duke cituar ministrin e Jashtëm Hakan Fidan.

Ai shtoi se prioriteti i Ankarasë është të kontribuojë në përpjekjet ndërmjetësuese të Pakistanit dhe në ruajtjen e armëpushimit. Duke folur në një konferencë për shtyp në Berlin, Fidan tha se Turqia dëshiron të besojë se si Irani ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për rreziqet e rifillimit të armiqësive.