◾Këshilli i OKB për të Drejtat e Njeriut ka votuar për ngritjen e një hetimi mbi akuzat për abuzime nga forcat ruse në Ukrainë. Përpara votimit, zëvendësministrja e jashtme e Ukrainës tha se populli i saj ishte përballur me “10 javë totalisht të tmerrshme”.
◾Udhëheqësit e Finlandës kanë njoftuar synimin e tyre për t’u bashkuar me aleancën e mbrojtjes së NATO-s “pa vonesë”.
◾Pushtimi i Rusisë ishte një pikë kthese dhe përmbysi dekada të mbështetjes publike për mos-angazhimin ushtarak, tha ministri i jashtëm i vendit për BBC.
◾Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se Finlanda do të “mirëpritet ngrohtësisht” në aleancë, ku anëtarët zotohen të mbrojnë njëri-tjetrin.
◾Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “hapat jo miqësore” të ndërmarra nga Finlanda ishin shkak për keqardhje për Rusinë.

Mediave sociale u kërkohet të ruajnë provat e krimeve të luftës në Ukrainë
Katër ligjvënës demokratë amerikanë raportohet se u kanë dërguar kërkesë zyrtare CEO-ve të YouTube, TikTok, Twitter dhe kompanisë mëmë të Facebook-ut, Meta, duke u kërkuar që të “ruajnë dhe arkivojnë përmbajtje” që mund të përdoren si provë e krimeve të luftës ruse në Ukrainë.
Media amerikane NBC News thotë se ka parë një letër drejtuar CEO të Meta, Mark Zuckerberg, duke inkurajuar kompaninë e tij për të ndihmuar “teksa qeveria amerikane dhe monitoruesit ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut hetojnë krimet ruse të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe mizoritë e tjera në Ukrainë”.
NBC thotë se letrat janë nënshkruar nga Carolyn Maloney, Gregory Meeks, Stephen Lynch dhe William Keating. Ata mësohet se në mënyrë specifike i kërkojnë kompanive të mediave sociale të “ruajnë përmbajtjet që kanë prova të mundshme të krimeve të luftës dhe mizorive të tjera”.

Presidentja moldave: Tani për tani jemi të sigurt, por çdo skenar është i mundur
Në jugperëndim të Ukrainës, presidentja Maia Sandu ka kërkuar të sigurojë moldavët se nuk duhet të kenë frikë nga agresioni rus ndaj vendit të tyre në të ardhmen e afërt.
“Unë besoj se jemi të sigurt; tani për tani. Rusia nuk ka plane të qarta për këtë”, tha ajo për kanalin TVR Moldova.
Megjithatë pranoi se “çdo skenar është i mundur” dhe shtoi se do t’i njoftonte njerëzit nëse situata ndryshon.
Të martën, drejtoresha amerikane e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA se Rusia synonte të ndërtonte një urë tokësore nga Krimeja në rajonin e shkëputur moldav të Transnistrisë. Por ajo theksoi se Rusia nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë pa mobilizim të mëtejshëm ushtarak.
Shpërthimet në Transnistria muajin e kaluar, një territor separatist i kontrolluar nga Rusia në Moldavi në kufi me Ukrainën, kanë ngjallur frikën për përhapjen e konfliktit përtej Ukrainës.
Autoritetet separatiste thanë se “infiltruesit” ukrainas ishin përgjegjës, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky fajësoi shërbimet speciale ruse.

“10 javë absolute tmerri”
Këshilli i OKB për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, miratoi këtë të enjte një rezolutë që i hap rrugë hetimeve për abuzimet e Rusisë në Ukrainë. Duke folur nga Kievi, zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës, Emine Dzhaparova tha se populli i vendit të saj ishte përballur me “10 javë absolute tmerri”.
“Tortura dhe zhdukje me forcë, dhunë seksuale dhe me bazë gjinore, lista e krimeve të Rusisë është e pafundme”, tha ajo.
Dzhaparova tregoi një foto me vija të zeza, të cilat ajo tha se ishin vizatuar nga një djalë 11-vjeçar i cili ishte përdhunuar para nënës së tij dhe tani komunikon vetëm përmes vizatimit.
Misioni monitorues i OKB-së vizitoi Ukrainën javën e kaluar. Shefja e të drejtave të njeriut Michelle Bachelet tha se 1000 trupa civilë ishin gjetur në rajonin e Kievit, disa prej të cilëve dukej se ishin ekzekutuar.
Ajo foli gjithashtu për civilët që vdiqën për shkak të kushteve ekstreme dhe mungesës së ndihmës mjekësore. Kjo përfshin një rast për të cilin raportoi BBC, në fshatin Yahidne në Chernihiv, ku ajo tha se 360 banorë, përfshirë 74 fëmijë dhe 5 persona me aftësi të kufizuara, u detyruan nga forcat ruse të qëndrojnë për 28 ditë në një bodrum shkolle. Ishte aq i mbipopulluar sa njerëzit nuk mund të shtriheshin. 10 të moshuar vdiqën, tha ajo.

Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO ‘do të jetë një ditë e keqe për Putin’
Ekspertja britanike e inteligjencës Louise Jones, për Sky News ofron një panoramë si mund të duket NATO nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen. Finlanda, e cila zakonisht mban një qëndrim neutral, ka njoftuar sot se do të ecë përpara për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.
“Për të kuptuar se sa lëvizje e madhe është kjo, duhet të shikojmë historinë e NATO-s. Ajo u formua pas Luftës së Dytë Botërore, e fokusuar kryesisht në vendet e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe natyrisht SHBA-dhe kryesisht në Europën Perëndimore. Qëllimi kryesor ishte kundër Bashkimit Sovjetik”.
Megjithatë, Jones tha se pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitet 1990, “shtetet baltike të Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë, aplikuan për anëtarësimin në NATO pothuajse menjëherë”.
“Vendet si Finlanda dhe Suedia, të cilat kishin ruajtur mjaft neutralitet gjatë Luftës së Ftohtë, vendosën të vazhdojnë të ndjekin ato politika.”
Ekspertja thotë se momenti kur këto dy vende do i bashkohen NATO-s, do të jetë “ditë e keqe për presidentin [Vladimir] Putin”.
“Kjo nuk është fare ajo që ai donte. Neutraliteti i Finlandës dhe Suedisë i përshtatej dhe më pas ai mund të fokusohej më në jug. Por tashmë Putin ka shumë pak gjëra në dorë”, tha Jones.

Foto: Aleatët e NATO-s stërviten në Maqedoninë e Veriut
Pamje të jashtëzakonshme kanë kapur anëtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut që stërviten në Maqedoninë e Veriut këtë pasdite.

Parashutistët italianë u panë duke u hedhur nga një avion C-130 gjatë stërvitjeve Swift Response 22 në bazën ushtarake Krivolak në Ballkan.
Kjo vjen pasi Finlanda konfirmon vendimin për t’u bashkuar me aleancën ushtarake, një lëvizje që Kremlini këmbënguli se ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Rusinë.

Po Suedia a do t’i bashkohet NATO-s?
Pas lëvizjes së Finlandës për t’u bashkuar me aleancën, Suedia pritet të shpallë vendimin e saj të dielën. Nëse vendi skandinav vendos të bashkohet, do t’i jepte fund 200 viteve të mos-angazhimit ushtarak.
Në Finlandë, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, popullariteti i NATO-s ka arritur në një rekord prej 76%, sipas sondazhit të fundit të opinionit.
Në Suedi situata është ndryshe. Sondazhet sugjerojnë se 57% e popullsisë dëshiron t’i bashkohet aleancës mbrojtëse. Ky proporcion është shumë më i lartë se para luftës, por socialdemokratët e Suedisë janë ndarë për këtë çështje dhe aktualisht janë duke mbajtur një konsultim të brendshëm.
Por vendimi i Finlandës do të ketë një ndikim.
Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde tha: “Finlanda është partneri më i ngushtë i sigurisë dhe mbrojtjes së Suedisë dhe ne duhet të marrim parasysh vlerësimet e Finlandës”.

OKB: Mbi 6 milionë të larguar nga Ukraina
Mbi 6 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga shpërthimi i konfliktit me Rusinë në fund të shkurtit, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Miliona njerëz të tjerë mendohet se janë zhvendosur brenda vetë Ukrainës, pasi shtëpi të panumërta janë shkatërruar nga bombardimet e pamëshirshme ruse.
Shumica e atyre që ikin nga Ukraina kanë hyrë në Poloni. Të tjerë udhëtojnë në Hungari, Moldavi, Rumani dhe Sllovaki. Disa kanë shkuar më tej në Europë, ose kanë udhëtuar në Rusi.
Ka pasur gjithashtu raporte të shumta për transportimin e ukrainasve në Rusi kundër dëshirës së tyre, përfshirë një numër fëmijësh.

Kina, kundër rezolutës së OKB për të hetuar abuzimet e Rusisë
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut votoi këtë të enjte për të miratuar një rezolutë, e cila i hap rrugën një hetimi mbi akuzat për abuzime nga trupat ruse në Ukrainë. Ajo që vjen për t’u sjellë në vëmendje është vota e Kinës, e cila ishte kundër kësaj rezolute.
Një total prej 33 anëtarësh votuan pro rezolutës. Kundër ishin vetëm Kina dhe Eritrea, ndërsa 12 shtete abstenuan.
Ukraina pretendon se ka identifikuar qindra kriminelë të dyshuar të luftës në vazhdën e pushtimit të vendit, i cili filloi në fund të shkurtit.
Sot, organi i të drejtave të njeriut mbajti një seancë urgjente në Gjenevë për të shqyrtuar provat e shkeljeve të supozuara të Moskës në Ukrainë.
Publikohen pamjet e vrasjes së civilëve nga rusët
Ky filmim i kamerave të sigurisë dëshmon se si ushtarët rusë vrasin dy civilë të pafajshëm në Ukrainë. Pamjet e siguruara nga televizioni amerikan CNN janë xhiruar në periferitë e Kievit, që në muajin Mars ishin nën kontrollin e rusëve. Sipas CNN që verifikoi vërtetësinë e pamjeve, dy civilët ishin punonjës të një pike të shitjes së automjeteve. Rusët i qëlluan pas shpine, teksa ata largoheshin nga biznesi dhe pasi fillimisht siç duket edhe nga kamerat e sigurisë duket se patën një debat. Njëri prej tyre është identifikuar nga familjarët si 68-vjeçari Leonid Pljats, roje biznesi, ndërsa tjetrin të afërmit nuk deshën t’ia bëjnë publik emrin.
Ngjarja po hetohet si krim lufte pasi ligjet ndërkombëtare ndalojnë ushtarët të vrasin civilë të pafajshëm. Pas tërheqjes së rusëve nga rajoni i Kievit u hodh dritë mbi vrasjen e qindra civilëve dhe varrosjen e tyre në varre masive, një rast që prokurorët ukrainas thonë se do ta çojnë në gjykatën ndërkombëtare të krimeve të luftës.
Sakaq, ushtria ukrainase publikoi të tjera dëshmi me foto të dëmeve të konsiderueshme që kanë pësuar rusët në ofensivën e tyre të ditëve të fundit në lindje të vendit.

Luftëtarët në Azovstal kërkojnë ndihmë nga Elon Musk
Një nga luftëtarët e izoluar në një punishte çeliku të rrethuar nga forcat ruse në qytetin ukrainas të Mariupolit, i ka bërë thirrje miliarderit të SpaceX, Elon Musk, që t’i ndihmojë në evakuimin e tyre.
Shumë civilë u shpëtuan nga uzina e Azovstal javën e kaluar sipas një marrëveshjeje me Rusinë, por ende asnjë pakt nuk është arritur me Moskën për evakuimin e qindra luftëtarëve, disa prej të cilëve janë plagosur, pas javësh bombardime.
Ndërkaq ushtria ukrainase ka bombarduar disa ura në Luhansk me qëllim pengimin e ushtrisë ruse në rajonet përreth këtij qyteti.
Dështimi i ushtrisë ruse për të kapur kryeqytetin ukrainas është i pashmangshëm sepse në vitet e mëparshme ata kurrë nuk ishin përballur drejtpërdrejt me një armik të fuqishëm, ka bërë të ditur një ish- mercenar i lidhur me Kremlinin.
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të vendosë nëse do të nisë një hetim mbi abuzimet e supozuara nga trupat ruse në zonën e Kievit që Ukraina thotë se përbëjnë krime lufte. Rezoluta, e sjellë nga Ukraina dhe e mbështetur nga më shumë se 50 vende të tjera, do të mandatonte një Komision Hetimor të sapoformuar për të hetuar ngjarjet në rajonet përreth Kievit.
Shefja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet bëri të ditur se 1000 trupa ishin gjetur në Kiev në javët e fundit. Sipas saj shkalla e vrasjeve të paligjshme, duke përfshirë ekzekutimet në zonat në veri të Kievit është tronditëse.
Oferta e Finlandës për anëtarësim në NATO, Rusia: Do të detyrohemi të ndërmarrim hapa hakmarrës

Në përgjigje të deklaratës së liderëve të Finlandës, të cilët u shprehën pro bashkimit me alencën ushtarake të NATO-s, Moska ka reaguar me kërcënime.
“Aderimi i Finlandës në NATO është një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të vendit”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Rusisë.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme thuhet po ashtu se Rusia do të detyrohet të marrë hapa hakmarrës.
“Rusia do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës, si të natyrës ushtarako-teknike ashtu edhe të natyrave të tjera, që të ndalojë shfaqjen e kërcënimeve ndaj sigurisë së saj kombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Stoltenberg: Anëtarësimi i Finlandës do të forconte NATO-n

Pas deklaratës së përbashkët të liderëve të Finlandës ku shpreheshin pro bashkimit me NATO-n, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg është shprehur se anëtarësimi i vendit do të forconte NATO-n dhe vetë Finlandën.
“Nëse Finlanda vendos të aplikojë, ata do të mirëpriten në NATO dhe procesi i anëtarësimit do të jetë i qetë dhe i shpejtë,” thotë Stoltenberg.
Gjatë fjalës së tij, Stoltenberg ka shtuar se Finlanda është një kontribues i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike.
“Finlanda është një nga partnerët më të ngushtë të NATO-s, një demokraci e pjekur, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe një kontribues i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Kremlini: Anëtarësimi i Finlandës në NATO, kërcënim për Rusinë

Rusia është shprehur se plani i Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n është një kërcënim për Rusinë dhe sipas Kremlinit, zgjerimi i bllokut ushtarak nuk do ta bëjë Evropën apo botën më të qëndrueshme.
Në një video-konferencë me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se planet e ndërmarra nga Finlanda për t’u bashkuar me NATO-n janë për “të ardhur keq”.
Po ashtu, ai shtoi se Finlanda kishte ndërmarrë “hapa jomiqësorë” kundrejt Rusisë.
I pyetur se çfarë forme do të kishte reagimi i Rusisë, Peskov tha:
“Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet ky proces i zgjerimit të NATO-s, nga shkalla në të cilën infrastruktura ushtarake lëviz më pranë kufijve tanë”.
Finlanda pro aplikimit për anëtarësim në NATO

“Finlanda duhet të paraqesë një kërkesë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s”, kanë deklaruar presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin në një deklaratë të përbashkët të dhënë ditën e sotme.
Po ashtu, liderët e Finlandës thanë se duhet aplikuar pa vonesë për anëtarësim në NATO.
“Gjatë kësaj pranvere, është zhvilluar një diskutim i rëndësishëm për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës në NATO. Është dashur kohë që parlamenti dhe e gjithë shoqëria të vendosin qëndrimet e tyre për këtë çështje. Është dashur kohë për kontakte të ngushta ndërkombëtare me NATO-n dhe vendet anëtare të saj, si dhe me Suedinë. Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte të gjithë aleancën e mbrojtjes. Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë. Shpresojmë që hapat kombëtarë që duhen ende për të marrë këtë vendim do të ndërmerren me shpejtësi brenda ditëve në vijim“, thanë Niinisto dhe Marin në një deklaratë të përbashkët.
Kjo lëvizje është një ndryshim i madh i politikës i shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,300 km (810 milje) dhe një të kaluar të vështirë me Rusinë, duket se do të marrë hapin e rëndësishëm. Megjithatë pritet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
Kryebashkiaku i Kievit: Me rrezik që banorët të rikthehen në qytet

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka paralajmëruar banorët e larguar se është e rrezikshme të rikthehen në qytet. Në një intervistë të gjatë për CNN, ai ka thënë se rreziku rus ekziston akoma dhe Kievi vijon të jetë objektiv kryesor i Rusisë.
Sipas tij, nuk është e sigurt që banorët e larguar nga Kievi të rikthehen në Ukrainë.
“Fatkeqësisht, sot nuk mund të garantojmë sigurinë e çdo banori”, ka thënë kryebashkiaku i Kievit.
“Çdo cep i Ukrainës, çdo qytet dhe qytezë është nën kërcënim teksa Rusia vijon luftën barbare kundër vendit tonë”, ka shtuar Klitschko.
A do të anëtarësohet Finlanda në NATO?
Të gjithë sytë janë tani tek Finlanda, pasi presidenti dhe kryeministrja e këtij shteti janë shumë të vendosur për të parashtruar qëndrimet e tyre nëse vendi mund të anëtarësohet ose jo në NATO.
Vendi nordik ka pasur një histori të gjatë neutraliteti. Ndërsa lufta e Putinit në Ukrainë nuk po ndalet, nivelet e mbështetjes publike për anëtarësim janë rritur në nivele rekord, me 76% të finlandezëve dhe 57% e suedezëve thonë se e mbështesin një gjë të tillë.
Por jo të gjithë janë dakord se kjo do t’i bëjë vendet e tyre më të sigurta. Dhe Rusia, e cila përdor zgjerimin e NATO-s si pretekst për pushtimin e saj është fuqimisht kundër kësaj lëvizjeje.
REDAKSIA TVKLAN.AL












Botërori 2026 
