PËRDITËSIMI I FUNDIT: ORA 00:12
◾Evakuimi masiv i planifikuar i civilëve nga Mariupol u ndërpre, ndërkohë që Rusia vazhdon të bombardojë qytetin jugor që konsiderohet “kyç”.
◾Sulmet po vazhdojnë, thonë zyrtarët ukrainas, pavarësisht nga një armëpushim i krijuar për të lejuar mijëra njerëz të evakuohen.
◾Civilët gjithashtu nuk kanë mundur të largohen as nga qyteti i Volnovakha që ndodhet pranë.
◾Protestat kanë shpërthyer në Kherson, i vetmi qytet i madh që është pushtuar nga Rusia deri më tani.
◾Ndërkohë, Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se do ta konsideronte çdo zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, akt lufte.
◾Presidenti i Ukrainës ka dënuar NATO-n për përjashtimin e një zone ndalim-fluturimi. Udhëheqësit perëndimorë thonë se nuk duan të përkeqësojnë situatën.

Visa dhe Mastercard tërhiqen nga tregu rus
Visa dhe Mastercard njoftuan këtë të shtunë pezullimin e transaksioneve në Rusi. Mastercard tha se kartat e lëshuara nga bankat ruse nuk do të mbështeten më nga rrjeti Mastercard dhe çdo Mastercard e lëshuar jashtë vendit nuk do të funksionojë në tregun dhe bankomatët rusë.
Visa tha se transaksionet duke përdorur kartat Visa të lëshuara në Rusi nuk do të funksionojnë më jashtë vendit dhe çdo kartë Visa e lëshuar nga institucione financiare jashtë Rusisë nuk do të funksionojë më në këtë shtet.
“Jemi të detyruar të veprojmë pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe ngjarjeve të papranueshme që kemi dëshmuar”, tha në një deklaratë Al Kelly, kryetar dhe shef ekzekutiv i Visa Inc.
“Na vjen keq për ndikimin që kjo do të ketë te kolegët tanë të çmuar dhe te klientët, partnerët, tregtarët dhe mbajtësit e kartave që u shërbejmë në Rusi. Kjo luftë dhe kërcënimi i vazhdueshëm ndaj paqes dhe stabilitetit kërkojnë që ne të përgjigjemi në përputhje me vlerat tona.”

Johnson, plan me 6 pika për të ndaluar pushtimin e Ukrainës nga Rusia
Boris Johnson ka zbuluar një plan prej 6 pikash që ai shpreson se do të sigurojë që Rusia të dështojë në misionin e saj të tmerrshëm për të pushtuar Ukrainës. Kryeministri britanik tha se “nuk janë historianët, por populli i Ukrainës që do të jenë gjyqtarët tanë” për mënyrën se si bota reagon ndaj “sulmit të shëmtuar e barbar” të Vladimir Putin.
“Putin duhet të dështojë dhe duhet ndihmuar që të dështojë në këtë akt agresioni. Nuk mjafton të shprehim mbështetjen tonë për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ne duhet ta mbrojmë atë kundër një përpjekjeje të vazhdueshme për të rishkruar rregullat me forcë ushtarake”.
Johnson pritet t’u bëjë thirrje homologëve të tij në mbarë botën që të bëhen bashkë në një plan prej 6 pikash që pritet të publikohet të dielën.
Ai do t’u bëjë thirrje liderëve që të mobilizojnë një koalicion humanitar ndërkombëtar për Ukrainën dhe ta mbështesin atë në përpjekjet për t’u vetëmbrojtur. Ai do të thotë se presioni ekonomik mbi Kremlinin duhet të rritet, ndërkohë që liderët i rezistojnë “normalizimit” të asaj që Rusia po bën në Ukrainë.
Johnson do të thotë gjithashtu se rrugët diplomatike për zgjidhjen e luftës duhet të ndiqen dhe se duhet të ketë një “fushatë të shpejtë për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në të gjithë zonën euro-atlantike.

Vizita e kryeministrit izraelit në Moskë u mbajt sekrete, ishte e jashtëzakonshme sepse…
Kryeministri izraelit Naftali Bennett udhëtoi në Moskë për të zhvilluar bisedime me presidentin Vladimir Putin më herët gjatë kësaj të shtune.
Urgjenca e vizitës së Bennett u nënvizua nga fakti se kryeministri izraelit, i cili është hebre ortodoks, prishi Shabatin (ditën hebraike të pushimit) për të udhëtuar drejt Moskës. Sipas ligjit hebre, përjashtime për një veprim të tillë mund të bëhen vetëm në situata kur jeta është nën kërcënim.
Udhëtimi i Bennett u mbajt gjithashtu i fshehtë derisa ai kishte mbërritur në Kremlin, ku zhvilloi rreth dy orë e gjysmë bisedime me Presidentin Putin.
Dyshja janë takuar disa herë më parë dhe duket se kanë një marrëdhënie të mirë. Presidenti ukrainas Vlolodymyr Zelensky i kishte bërë thirrje më herët kryeministrit izraelit që të ndërmjetësojë në konfliktin aktual.
Midis atyre që shoqëruan Bennett ishte Ministri i Strehimit, Zeev Elkin, i cili ka shërbyer prej kohësh si përkthyes rus për udhëheqësit izraelitë. Ai ka lindur në Kharkiv dhe ka të afërm ende në Ukrainë.
Pas bisedimeve, kryeministri Bennett udhëtoi për në Gjermani ku do të takohetme kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Zelensky thirrje popullit të tij: Dilni në rrugë. Të luftojmë sa herë na jepet një mundësi!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje të shtunën ukrainasve që të vazhdojnë rezistencën.
“Ukrainas! Në të gjitha qytetet tona, aty ku armiku pushtoi, shkoni në ofensivë. Dilni në rrugë. Duhet të luftojmë sa herë na jepet një mundësi.”
Në një video të postuar në Facebook, Zelensky tha se ukrainasit nuk do t’ia lenë vendin e tyre “një armiku” dhe vlerësoi besimin e popullit ukrainas.
“Kur nuk ke armë zjarri, por ata përgjigjen me të shtëna dhe nuk ia mbath… Kjo është arsyeja pse pushtimi është i përkohshëm. Populli ynë, ukrainasit, nuk tërhiqet“, tha Zelensky.
Zelensky vlerësoi po ashtu rezistencën dhe protestat e popullit ukrainas.
“Ata u bërtasin pushtuesve që të shkojnë në shtëpi, si luftanija ruse, duke e shtyrë pushtuesin jashtë territorit tonë. Çdo metër e tokës tonë ukrainase e rikuperuar nga protestat është një hap përpara, një hap drejt fitores”.

Forcat ruse intensifikojnë bombardimet në Mariupol
Forcat ruse kanë intensifikuar bombardimet në qytetit port të Mariupolit, tha kryebashkiaku i qytetit.
“Qyteti është në një gjendje shumë-shumë të vështirë rrethimi”, tha Vadym Boychenko për mediat ukrainase.
“Bombardimet e pamëshirshme të blloqeve të banimit vazhdojnë, avionët kanë hedhur bomba në zonat e banuara”, shtoi ai.
Boychenko tha se mijëra fëmijë, gra dhe të moshuar u sulmuan pasi mbërritën në mëngjes me shpresën për t’u evakuuar përmes një korridori të sigurt kalimi, pasi Rusia premtoi të ndalonte bombardimet e qytetit, por e shkeli armëpushimin.

Vijojnë bombardimet në disa qytete të Ukrainës
Përgjatë gjithë ditës së shtunë ka pasur raportime për bombardime në disa qytete të Ukrainës. BBC sjell një panoramë të asaj që ka ndodhur në 24 orët e fundit:
-Bombardime të rënda janë raportuar në Irpi, një qytet në periferi në veriperëndim të Kievit.
-Bombardimet vazhdojnë gjithashtu në qytetin jugor të Mariupolit, ku një armëpushim i planifikuar për t’u mundësuar banorëve të largoheshin u ndërpre menjëherë pasi filloi.
-Bombardime të rënda goditën Kharkivin dhe Sumy në lindje gjatë natës.
-Luftimet e ashpra në veriperëndim të kryeqytetit Kiev rreth aeroportit kyç Hostomel vazhduan edhe të shtunën.
-Forcat ruse vazhdojnë përpjekjet për të rrethuar Kievin, i cili, së bashku me Kharkivin, mbetet nën kontrollin e Ukrainës pavarësisht bombardimeve të rënda.

Zelenskyy jep tjetër alarm: Forcat ruse përparojnë drejt termocentralit të tretë bërthamor
Forcat ruse kanë nën kontroll dy termocentrale ukrainase dhe duket po përparojnë drejt një të treti. Alarmin e dha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Ai pati një telefonatë me senatorët amerikanë më herët gjatë ditës së sotme, të cilëve u tha se termocentrali i tretë është aktualisht nën kërcënim. Bëhet fjalë për termocentralin bërthamor Yuzhnoukrainsk, i cili ndodhet 120 km në veri të Mykolaiv, një prej qyteteve që forcat ruse po përpiqen të mbajnë të rrethuar.
Rusia aktualisht kontrollon centralin bërthamor Zaporizhzhia në qytetin jugor të Enerhodar, centrali më i madh bërthamor në Europë dhe Çernobilin, i cili nuk është aktiv, por ka staf dhe mirëmbahet.

Italia sekuestron 143 mln euro jahte e vila luksoze të oligarkëve rusë
Italia ka sekuestruar 143 milionë euro jahte dhe vila luksoze nga oligarkët rusë që prej së premtes. Asetet u sekuestruan në disa nga vendet më piktoreske italiane, përfshirë Sardenjën, bregdetin Ligurian dhe liqenin e Komos.
“Ne duhet të jemi në gjendje të ndalojmë sulmin e Putinit, duke e sjellë atë në tryezë dhe ai nuk do të ulet me të butë”, tha ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio teksa njoftoi planet e Italisë për të nisur sekuestrimin e pronave që u përkasin oligarkëve të afërt me presidentin rus Vladimir Putin.
Policia italiane ka sekuestruar superjahtin Lena, i cili i përket Gennady Timchenko, oligark i afërt me Putinin në portin e San Remos, si dhe Lady M në pronësi të Alexei Mordashov, ashtu sikurse disa vila në Toskanë dhe Komo.
Vila e manjatit të biznesit ruso-uzbek Alisher Usmanov u sekuestrua gjithashtu në Sardenjën veriore.

Ukraina kërkon sanksione të tjera kundër Rusisë
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha gjatë një fjalimi televiziv të shtunën se vendi i tij kërkon sanksione më të forta kundër Rusisë.
“Ato përfshijnë, ndër të tjera ndalimin e bankës ruse Sberbank nga SWIFT, mbylljen e porteve europiane për anijet ruse, mbylljen e aksesit të Rusisë në kriptovalutat dhe ndalimin e blerjeve të naftës ruse”, tha Kuleba.
“Nafta ruse mban erë gjaku ukrainas sot”, tha ministri i Jashtëm, duke shtuar se “blerja e saj është si të financosh krimet ruse të luftës”.
Ai përsëriti thirrjen e Ukrainës për aleatët ndërkombëtarë për të mbrojtur hapësirën ajrore të Ukrainës nga bombardimet pa dallim nga rusët dhe për t’i siguruar vendit avionë luftarakë dhe mbrojtje ajrore, raketa dhe armë.
“Mesazhi im për botën është i qartë. Kur të gjithë liderët europianë dhe të tjerë në të gjitha ceremonitë gjatë gjithë vitit, përsërisin ato fjalë të veçanta, ‘kurrë më’, tani duhet të dëshmojnë me veprime se i qëndrojnë atyre fjalëve”, tha Kuleba, duke iu referuar bombardimeve naziste të kryeqyteteve evropiane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Të tregoni tani që keni mësuar nga e kaluara, se një forcë e re brutale në Europë mund të ndalet përpara se të tërheqë të gjithë kontinentin në një konflikt shkatërrues”, tha ministri i Jashtëm.
Gjatë mesazhit, Kuleba vlerësoi guxim e admirueshëm që treguan para pushtuesve të armatosur rusë protestuesit në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, duke i treguar se “ata janë ukrainas dhe qyteti i tyre i përket Ukrainës”.
“Mesazhi i popullit heroik ukrainas është i thjeshtë”, tha ai. “Rusë, shkoni në shtëpi. Jeni në tokë të huaj ku askush nuk ka nevojë për ju. Dhe askush nuk ju pret me lule. Putin, lëre të qetë Ukrainën. Nuk do ta fitoni këtë luftë”, theksoi Kuleba.

Armëpushimi në Mariupol nuk zgjati më shumë se 30 minuta
Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Sergei Orlov, tha për BBC se armëpushimi që ishte rënë dakord për evakuimin e civilëve nga ky qytet, nuk zgjati më shumë se 30 minuta.
Një pushim prej pesë orësh i mbikëqyrur nga Kryqi i Kuq ishte parashikuar të mbahej sot për të lejuar civilët të largoheshin nga Mariupol dhe Volnovakha, një qytet më i vogël në veri të Ukrainës.
Megjithatë, Orlov tha se qyteti i tij kishte qenë nën bormbardim të vazhdueshëm, pak kohë pas fillimit të armëpushimit dhe se shkollat, kopshtet dhe autobusët që synoheshin të përdoreshin për evakuimin e civilëve ishin sulmuar.
Orlov akuzoi forcat ruse për genocid dhe tha se kishte frikë të mendonte se çfarë do të ndodhte me banorët tani, pasi qyteti nuk kishte ujë e ngrohje.
Ai bëri thirrje për më shumë ndihmë ushtarake, përfshirë një zonë ndalim-fluturimi.
Bombardimet e sotme nuk janë komentuar ende nga Rusia, por ministria e saj e mbrojtjes tha se civilët nuk kishin përdorur rrugët e arratisjes nga Mariupol dhe akuzoi autoritetet ukrainase për pengimin e njerëzve që të largoheshin.

“Lodhja e stafit të izoluar në Çernobil, rrezik për botën”
Lodhja në rritje e stafit të izoluar prej 10 ditësh në termocentralin bërthamor të Çernobilit nuk është vetëm i vështirë, por mund të përbëjë “rrezik për botën”, tha kryebashkiaku i Slavutych, Yuriy Fomichev, në një intervistë për CNN këtë të shtunë.
“Njerëzit janë të lodhur; të rraskapitur, si mendërisht ashtu edhe emocionalisht, por kryesisht fizikisht”, tha Fomichev, duke shtuar se më shumë se 100 njerëz në këtë termocentral janë personel me turne.
“Një strukturë bërthamore e drejtuar prej 100 persona që punojnë pa pushim për 10 ditë me radhë do të thotë se nivelet e tyre të përqendrimit janë shumë të ulëta… gjëja kryesore që ne duam të përcjellim është se është shumë e rrezikshme”, tha Fomichev.
Punonjësit e Çernobilit hanë vetëm një vakt në ditë dhe kanë kohë të kufizuar për të kontaktuar familjet e tyre, tha Fomichev.
Slavutych, qytet në Ukrainën veriore, u ndërtua qëllimisht në vitin 1986 për të strehuar personelin e evakuuar nga termocentrali i Çernobilit, vendi i fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë.
Aktualisht ky termocentral është nën pushtimin e forcave ruse.

Bisedimet Ukrainë-Rusi mbahen të hënën
Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë raundin e tretë të bisedimeve të hënën, tha negociatori ukrainas David Arakhamiya.
Të enjten, të dy palët ranë dakord të hapin korridoret humanitare për të lejuar civilët të largohen nga disa zona luftimi, megjithëse ka pasur vonesa në zbatimin e tyre.

Rusia thirrje BE-së dhe NATO-s: Ndalni furnizimet me armë për Ukrainën
Ministria e Jashtme e Rusisë i ka bërë thirrje Bashkimit Europian dhe NATO-s që të ndalojnë fryrjen me armë të Ukrainës, shkruan Sky News duke cituar mediat ruse.
Moska mësohet se është veçanërisht e shqetësuar se raketat portative anti-ajrore Stinger mund të përfundojnë në duart e terroristëve, duke përbërë kështu një kërcënim për linjat ajrore.

Evakuimet nga Mariupol nuk kanë gjasa të rifillojnë
Kuptohet se evakuimet nga Mariupol dhe Volnovakha nuk do të ndodhin sot, pas një armëpushimi të dështuar, tha Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Më herët, këshilli i qytetit të Mariupolit raportoi se bombardimet kishin vazhduar, ndërsa banorët përgatiteshin të niseshin me autobusë në orën 11:00 me orën lokale.
“Ne mbetemi në dialog me palët për kalimin e sigurt të civilëve nga qytete të ndryshme të prekura nga konflikti,” tha në një deklaratë Kryqi i Kuq.
“Skenat në Mariupol dhe në qytete të tjera sot janë tronditëse. Çdo iniciativë nga palët që u jep civilëve një pushim nga dhuna dhe i lejon ata të largohen vullnetarisht për në zona më të sigurta është e mirëpritur.”
Ukraina thotë se plani ishte për të evakuuar 200,000 njerëz nga Mariupol dhe 15,000 njerëz nga Volnovakha në total. Kryqi i Kuq ishte garantuesi i përkohshëm i armëpushimit.

2 orë e gjysmë takim mes kryeministrit izraelit dhe Putin në Moskë
Kryeministri izraelit Naftali Bennett është takuar me Vladimir Putin në Kremlin, konfirmoi zyra e tij. Bisedimet zgjatën rreth dy orë e gjysmë. Zyra e Bennett thotë takimin në Kremlin e zhvilloi pasi kishte njoftuar SHBA.
BBC sjell në vëmendje se ka pasur shumë debate nëse qeveria izraelite mund, ose duhet të ndërmjetësojë realisht në krizë, diçka që nuk u mor aq seriozisht në fillim.
Por Bennett i cili fluturon për në Moskë në mes të izolimit global të Rusisë, duket se e çon idenë në një nivel tjetër.

Trupat ruse marrin spitalin psikiatrik 60 km larg Kievit
BBC thotë se nga mediat ukrainase vijnë raportime se një spital psikiatrik, që ndodhet rreth 60 kilometra në veriperëndim të Kievit, është marrë nën kontroll nga forcat ruse. Në të ndodhen rreth 670 pacientë.
Platforma ukrainase e lajmeve Hromadske thotë se guvernatori rajonal i Kievi ka konfirmuar se spitali në Borodyanka është pushtuar.
“Sot ne nuk dimë si t’i evakuojmë këta njerëz, si t’i ndihmojmë. Uji e mjekimet po i mbarojnë. Këta janë njerëz me nevoja specifike, u duhet ndihmë e vazhdueshme. Shumë prej tyre janë në regjim shtrati prej vitesh”. Ai shtoi po ashtu se ekzistonte rreziku që godina të hidhej në erë.

FMN: Lufta në Ukrainë do ketë ndikim të rëndë në ekonominë globale
Lufta në Ukrainë tashmë po rrit çmimet e energjisë dhe grurit dhe do të ketë një “ndikim të rëndë” në ekonominë globale, tha këtë të shtunë Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN.
FMN tha se pritet që të çojë në bordin e saj për miratim kërkesën e Ukrainës për 1.4 miliardë dollarë javën e ardhshme.
Në një deklaratë, huadhënësi global tha se lufta kishte shkaktuar një valë prej më shumë se 1 milion refugjatësh në vendet fqinje dhe sanksione të paprecedenta ndaj Rusisë.
“Ndërsa situata mbetet tejet fluide dhe rezultati shoqërohet me një pasigurie të jashtëzakonshme, pasojat ekonomike janë që tani shumë serioze”, tha FMN.
“Lufta dhe sanksionet e lidhura me të do të kenë gjithashtu një ndikim të rëndë në ekonominë globale”, thekson FMN.

Rusia ‘nuk do ta harrojë’ mbështetjen e Britanisë për Ukrainën
Ministria e Jashtme ruse publikoi këtë të shtunë një deklaratë, ku shënjestroi direkt qeverinë britanike për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës.
Zëdhënësja e kësaj Ministrie, Maria Zakharova tha se Rusia nuk do ta harrojë bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuar me Kievin, apo ato që ajo e quajti “forcat ultra nacionaliste të Ukrainës”.
“Histeria e sanksioneve ku Londra luan një ndër rolet kryesore, për të mos thënë kryesorin, nuk na le zgjidhje tjetër, por që të ndërmarrim kundërpërgjigje proporcionale masash”, tha Zakharova duke shtuar se si kundërpërgjigje e Moskës zyrtare, do preken interesat e britanikëve në Rusi.
Qëndrimi zyrtar në Rusi është se kërcënimi ndaj civilëve në Ukrainë nuk vjen nga forcat ruse, por nga nacionalistët ukrainas. Qeveria britanike ka dërguar në Ukrainë ndihmë ushtarake dhe financiare.

Putin: Vendosja e ndalimit-fluturimit në Ukrainë, akt lufte
Vladimir Putin deklaroi këtë të diel se çdo vend që vendos një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të konsiderohet se i është bashkuar luftës.
“Çdo lëvizje në këtë drejtim do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në një konflikt të armatosur nga ai vend”, tha presidenti rus.
Në kontekstin ushtarak, një zonë ndalim-fluturimi është një zonë ku ndalohet hyrja e avionëve për të parandaluar sulmet ose për vrojtim. Por ajo mund të zbatohet ushtarakisht, që do të thotë duke rrëzuar potencialisht avionët.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka akuzuar NATO-n për dobësi dhe përçarje, pasi aleanca ka refuzuar që të vendosë një zonë ndalim-fluturimi.
NATO nga ana e saj thotë se kjo do të çonte në një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës në shumë vende të tjera.

Vritet negociatori ukrainas: Ishte spiun rus
Shërbimet sekrete ukrainase vranë një anëtar të ekipit negociator të Kievit të akuzuar për tradhti. Sipas mediave ukrainase ai u vra gjatë një tentativë arrestimi nga shërbimet sekrete.
Të njëjtat burime thanë se kishte “prova të forta” se Denis Kirev po dërgonte informacione në Rusi.
Kirev, një bankier me përvojë kishte marrë pjesë në delegacionin e parë negociues në takimin që u zhvillua në Gomel në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë.

Një rrugë në Tiranë merr emrin “Ukraina e Lirë”
“Ukraina e Lirë” do të quhet një nga rrugët pranë ambasadës së Ukrainës, ambasadës Ruse dhe asaj Serbe. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj teksa së bashku me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, ndihmuan në ngarkimin e kamionit të parë me ndihmat e mbledhura nga qytetarët e Tiranës për qytetarët e Ukrainës.
Erion Veliaj:Ne vërtet nuk mund të çojmë armë, por mund të çojmë ushqime dhe një mesazh. E një nga mesazhet që duam të çojmë, përmes Këshillit Bashkiak të Tiranës të hënën, është vendimi për të emërtuar një segment në bllokun e selive të ambasadave, që ndodhet pranë ambasadës së Ukrainës, me emrin Rruga “Ukraina e Lirë”. Ky është një mesazh që po jepet nga shumë qytete. Qëllon që në atë rrugë ndodhet edhe Ambasada e Rusisë – do të duhet që, ata, dhe të gjithë të tjerët aty, ta ndërrojnë adresën në kartëvizita me rrugën “Ukraina e Lirë”. Është një mënyrë për të treguar se ne nuk mund të rrimë duarkryq.
Veliaj reagoi edhe për protestën e zhvilluar te premten në Beograd.
Erion Veliaj:Ajo që ndodhi dje në Serbi është e turpshme. Nuk është aspak dinjitoze që një vend në Ballkan të protestojë dhe të mbështesë ndërhyrjen ruse në Ukrainë. Jemi ndjerë vërtet të fyer nga fakti se ka ende sot vende që kanë avancuar drejt BE-së më shumë se sa ne dhe në një moment kritik, ku duhet të tregojë vlerat europiane, proteston në solidaritet me Rusinë, që është shtypësi, pushtuesi, armiku, kundërshtari i lirisë.
Ambasadori Shkurov falenderoi bashkinë për ndihmën në shumëfishimin e ndihmave, por njëkohesisht dhe për gjestin e mikpritjes që Shqipëria po dëshmon me Ukrainën.
Volodymyr Shkurov:Ne kemi shumë oferta që na kanë ardhur kohët e fundit. Janë mbi 1000 oferta për refugjatët që do të vijnë nga Ukraina. Për këtë doja të falënderoja popullin shqiptar.
Nga ana tjetër, Veliaj dhe ambasadori Shkurov shprehën mirënjohjen për solidaritetin e qytetarëve dhe bizneseve, të cilat iu bashkuan thirrjes për ndihma për të prekurit nga lufta në tendat e ngritura nga Bashkia dhe ambasada e Ukrainës.
Escobar: Moska të ndalë influencën në Ballkanin Perëndimor
I dërguari i posacëm i administratës Biden për Ballkanin Perëndimor ka deklaruar se SHBA dhe BE duhet që të dyfishojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë, dhe për të ndalur veprimet që kërcënojnë qëndrueshmërinë dhe përparimin në Bosnje-Hercegovinë. Sipas tij Rusia nuk duhet të lejohet të përdorë luftën për të frenuar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai i përgëzon Vendet e Ballkanit Perëndimor për qëndrimin e tyre të vendosur krah Bashkimit Evropian për sanksionet ndaj Rusië.
Sipas tij, sanksionet e kanë shkëputur Rusinë nga sistemi financiar botëror dhe ekonomia ruse ka filluar të vuajë.
Blinken: Ukraina mund ta fitojë luftën kundër Rusisë
Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken duke folur në një intervistë për BBC është shprehur i bindur se Ukraina mund ta fitojë luftën e saj kundër Rusisë.
Teksa vlerësoi rezistencën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas Blinken u shpreh se lufta nuk ka shkuar siç do të donte presidenti rus Vladimir Putin. Ai u shpreh se nëse Moska synon të rrëzojë qeverinë dhe të instalojë regjimin e saj kukull, 45 milionë ukrainas do ta refuzojnë këtë gjë në një mënyrë apo një tjetër.
Këtë të shtunë, Blinken ka mbërritur në Poloni ku do të takohet me kryeministrin Polak dhe ministrin e jashtëm pranë kufirit me Ukrainën.
Ndërkohë i dërguari i posaçëm i administratës Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se bota ka ndryshuar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ai ka përgëzuar vendet e Ballkanit Perëndimor mbi qëndrimin e tyre krahas Aleatëve Europian për të dënuar agresionin Rus në Ukrainë.
Gjithashtu, Presidenti i SHBA Joe Biden është takur me Presidentin Finlandez. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se liderët diskutuan mbi politikën e dyerve të hapura të NATOS dhe mundësinë e çdo vendi euroatlantik për tu angazhuar ndaj vlerave dhe detyrimeve të aleancës. Në takimin me presidentin Finlandez Biden telefonoi edhe Kryeministren e Suedisë. Këto lëvizje vijnë pas kërcënimit të Rusisë për pasoja ushtarako – politike nëse Suedia apo Finlanda anëtarësohen në NATO.
Lavrov: Ukraina kërkon luftë mes Rusisë dhe NATO-s
Kryediplomati Rus Sergei Lavrov ka akuzuar Ukrainën duke thënë se presidenti i saj Volodymir Zelensky po kërkon një luftë mes Natos dhe Rusisë . Ministri i Jashtëm Rus tha se Ukraina kërkon ta provokojë këtë konflikt duke kërkuar pjesëmarrjen e aleancës veri atlatntike.
Sergei Lavrov: Zelenskyt i vjen keq që Nato nuk ndërhyn dhe kjo do të thotë se nuk po kërkon ta zgjidhë konfliktin me diplomaci. Ai po përpiqet të provokojë konfliktin kundër Rusisë me pjesemarrjen e Nato-s. Siç duket, Ukraina po shpik gjithmonë arsye për kushtet sipas të cilave ajo kërkon të zhvillojë negociatat.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dymitro Kuleba ka akuzuar aleancën e Nato-s për përkulje ndaj presionit rus .
Këto akuza ai i bëri duke komentuar refuzimin e anëtarëve të Nato-s që të zbatojnë një zone të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë. Kuleba tha se Nato nuk është forca që ukrainasit kishin imagjinuar më parë teksa shtoi se është i gatshëm të ulet për bisedime me homologun e tij Sergei Lavrov.
Shifrat ruse të agresionit në Ukrainë
Palët pretendojnë shifra të ndryshme për të vrarë dhe dëme ushtarake.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse, Forcat e Armatosura godasin vetëm infrastrukturën ushtarake dhe trupat ukrainase dhe nuk kërcënojne popullsinë civile.
Rusia pretendon se deri tani trupat e saj kanë goditur më shumë se 2000 objekte ukrainase, iu kanë shkatërruar atyre 82 avionë, 708 tanke dhe automjete të tjera të blinduara etj. Territori rreth termocentraleve bërthamore të Çernobilit dhe Zaporozhye janë marrë nën kontrollin rus.
Sipas Kremlinit kanali i Krimesë së Veriut u zhbllokua dhe po punohet për të rivendosur furnizimin me ujë të rajonit. Ofensiva ruse po zhvillohet në disa drejtime, Kievi është bllokuar nga perëndimi.
Ministria e Mbrojtjes ruse raporton një numër rastesh të dorëzimit vullnetar të armëve nga trupat ukrainase, atyre u garantohet siguria dhe kthehen në familjet e tyre. Ndërkohë sipas Moskës forcat ukrainase të sigurisë po vendosin raketahedhës të shumtë pikërisht në zonat përreth Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës. Presidenti Putin e konsideron kete si një taktikë terroriste.
Putin: Sanksionet perëndimore janë të ngjashme me një shpallje lufte

Vladimir Putin ka paralajmëruar se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë janë të ngjashme me një shpallje lufte, pasi ai mbrojti pushtimin e tij në Ukrainë.
Në komentet në televizionin shtetëror, Putin tha se Rusia dëshiron që Ukraina të “çmilitarizohet”, duke shtuar se vendi duhet të ketë një status neutral.
Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 24 Shkurt, që synojnë të ndikojnë në ekonominë ruse.
Gjigantët e modës mbyllin dyqanet në Rusi

Gjigantët francezë të luksit u janë bashkuar firmave të tjera duke njoftuar se do të pezullojnë shitjet në Rusi në mes të luftës në Ukrainë. LV, Hermes, Kering dhe Chanel kanë vendosur të mbyllin përkohësisht dyqanet e tyre në Rusi.
Prodhuesi i çantave të shtrenjta Birkin Hermes dhe pronari zviceran Cartier Richemont ishin ndër firmat e para që njoftuan se do të ndalonin biznesin në Rusi.
LVMH, e cila zotëron marka të tilla si Christian Dior, Givenchy dhe Bulgari ndër të tjera, do të mbyllë 124 butikët e saj në vend nga e diela.Kering, e cila është shtëpia e Gucci dhe Saint Laurent, ka dy dyqane në Rusi, së bashku me 180 punonjës në vend. Firma franceze tha se vendimi i saj ishte për shkak të “shqetësimeve në rritje në lidhje me situatën aktuale në Evropë”.
Firma të tjera të panumërta kanë njoftuar tashmë planet për t’u tërhequr nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës.
BE pezullon Rusinë dhe Bjellorusinë nga Këshilli i Shteteve të Detit Baltik
Bashkimi Evropian u është bashkuar anëtarëve të Këshillit të Shteteve të Detit Baltik (CBSS) në pezullimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga aktivitetet e Këshillit.
“Ky vendim është një pjesë e përgjigjes së Bashkimit Evropian dhe partnerëve me të njëjtin mendim ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe përfshirjes së Bjellorusisë në këtë agresion të paprovokuar dhe të pajustifikuar”, thuhet në deklaratë.
“BE pajtohet me anëtarët e tjerë të CBSS (Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia, Polonia dhe Suedia) që pezullimi i Rusisë dhe Bjellorusisë do të mbetet në fuqi derisa të jetë e mundur rifillimi i bashkëpunimit. bazuar në respektimin e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”.
Blinken mbërrin në Poloni

Blinken ka mbërritur në Poloni ku do të takohet me kryeministrin Polak dhe ministrin e jashtëm pranë kufirit me Ukrainën.
Sjellim në vëmendje se Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken duke folur në një intervistë për BBC është shprehur i bindur se Ukraina mund ta fitojë luftën e saj kundër Rusisë.
Teksa vlerësoi rezistencën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas Blinken u shpreh se lufta nuk ka shkuar siç do të donte presidenti rus Vladimir Putin. Ai u shpreh se nëse Moska synon të rrëzojë qeverinë dhe të instalojë regjimin e saj kukull, 45 milionë ukrainas do ta refuzojnë këtë gjë në një mënyrë apo një tjetër.
Ministria ruse: Nacionalistët ukrainas penguan evakuimin e civilëve

Këtë mëngjes, nënkryetari i bashkisë së Mariupolit dhe një banor i qytetit tha për BBC se Rusia vazhdoi të bombardonte zonën pavarësisht “armëpushimit” që kishin rënë dakord me Ukrainën.
Por Ministria Ruse e Mbrojtjes ka një version shumë të ndryshëm të ngjarjeve.
Ai thotë se “nacionalistët” ukrainas i penguan civilët të largoheshin nga qytetet, sipas agjencisë ruse të lajmeve Ria.
Ministria tha se forcat ruse u sulmuan pasi kishin ngritur korridore humanitare për civilët që të largoheshin nga qyteti.
Mbretëria e Bashkuar u kërkon shtetasve të saj të konsiderojnë largimin nga Rusia
Mbretëria e Bashkuar u ka kërkuar shtetasve të saj që të konsiderojnë largimin nga Rusia nëse nuk është thelbësore që ata të qëndrojnë në atë shtet.
“Nëse prania juaj në Rusi nuk është thelbësore, ju këshillojmë fuqimisht që të konsideroni të largoheni”, tha të shtunën Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Të hënën, Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar këshilloi qytetarët e saj kundër çdo udhëtimi në Rusi për shkak të mungesës së opsioneve të disponueshme të fluturimit dhe rritjes së paqëndrueshmërisë ekonomike.
Shtyhet evakuimi i civilëve nga Mariupol

Evakuimi i civilëve nga qyteti jugor i Mariupolit është shtyrë, sipas këshillit të qytetit të Mariupolit.
Këshilli i qytetit të Mariupolit thotë se ky vendim ka ardhur pasi “pala ruse nuk i përmbahet armëpushimit dhe hedh granata në Mariupol dhe zonën përreth”.
Autoritetet lokale u kërkojnë njerëzve të shpërndahen dhe të gjejnë vende strehimi.
Këshilli i qytetit të Mariupolit shton se negociatat janë duke u zhvilluar për të vendosur një armëpushim dhe për të siguruar korridorin e sigurt humanitar, për të cilin ishte rënë dakord deri në orën 16:00 me orën lokale të Moskës.
Dorëzohen ndihmat për të prekurit nga lufta në Ukrainë, Veliaj: Jam shumë krenar

Erion Veliaj së bashku me ambasadorin e Ukrainës kanë qenë të pranishëm në momentet kur po bëheshin dorëzimet për ndihmat nga lufta në Ukrainë. Gjatë fjalës së tij, Veliaj është shprehur shumë krenar për të gjithë ata qytetarë që kanë kontribuar në masë për të ndihmuar ukrainasit.
Erion Veliaj: Dimri atje zgjat më shumë se tek ne, kështu që për këto arsye është shumë e rëndësishme që të ju dërgojmë gjëra që mund të ju duhen. Jam shumë krenar sot, bashkë me ambasadorin e Ukrainës, për të gjithë bujarinë që patëm nga të gjithë qytetarët e Tiranës, e cila vërshoi në të gjitha qendrat që janë hapur. Është një moment jashtëzakonisht i vështirë, e dimë se çfarë do të thotë të kesh nevojë dhe të kërkosh ndihmë, ndaj dhe sot jam shumë krenar për të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë kontribuar direkt në ambasadë ose në çadrat e bashkisë dhe duam që ta vazhdojmë këtë aksion deri në datën 14 Mars.
Rusia akuzon Perëndimin për “banditizëm ekonomik”
Në një deklaratë këtë mëngjes, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka akuzuar liderët perëndimorë se “sillen si banditë” në përgjigjen e tyre ndaj pushtimit të Ukrainës.
Peskov pretendoi se Perëndimi ishte i përfshirë në “banditizëm ekonomik” kundër Rusisë dhe paralajmëroi se Moska do të përgjigjet.
“Kjo nuk do të thotë se Rusia është e izoluar,” tha zoti Peskov. “Bota është shumë e madhe që Evropa dhe Amerika ta izolojnë dhe aq më tepër një vend aq të madh sa Rusia. Ka shumë më tepër vende në botë.”
Ai vazhdoi të paralajmërojë SHBA-në kundër vendosjes së sanksioneve ndaj eksporteve të energjisë ruse./t
Rama: Zelensky më falenderoi për gjithçka që po bën Shqipëria për popullin e tij
Pas lajmit të presidentit të Ukrainës, Zelensky se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Edi Ramën, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit të vendit. Krahas publikimit të bisedës me Zelensky-n, Rama ka shkruar se i ka shprehur presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovës.
“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës. I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, ka shkruar Rama.
Zelensky telefonatë me Ramën
Në një postim në Twitter, presidenti i Ukrainës, Zelensky ka treguar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Në postim, Zelensky shkruan se është diskutuar për punën e përbashkët si dhe ka shprehur vlerësimet e tij për mështetjen që po i jep Shqipëria Ukrainës në këtë kohë të vështirë.
Had a phone conversation with ?? Prime Minister @ediramaal. Spoke about the fight against Russian invaders. Discussed joint work within ??. We appreciate the practical help and support of Albania in this difficult time. We are doing everything to end the war. #StopRussia
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) March 5, 2022
“Pata një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama. Foli për luftën kundër pushtuesve rusë. U diskutua për punën e përbashkët. Ne vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ne po bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund luftës”, shkruan Zelensky./tvklan.al
Trupat ruse nuk respektojnë armëpushimin e rënë dakord

Këshilli i qytetit të Mariupolit ka paralajmëruar se forcat ruse nuk po respektojnë armëpushimin e rënë dakord për rrugën e plotë të korridorit humanitar.
Për këtë armëpushim të përkohshëm u ra dakord në orët e fundit dhe Ukraina tha se duhet të jetë në fuqi nga ora 9 e mëngjesit deri në 4 pasdite me orën lokale të Moskës.
Ishte planifikuar të lejoheshin autobusë për të transportuar civilë nga Mariupol dhe Volnovakha në Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore.
Megjithatë, zyrtarët lokalë thonë se “luftimet po zhvillohen” në rajonin e Zaporizhzhia.
Këshilli i qytetit të Mariupol tha: “Ne jemi duke negociuar me palën ruse për të konfirmuar armëpushimin përgjatë gjithë rrugës së evakuimit”.
Zelensky konfirmon armëpushimin në dy qytete të Ukrainës, por u bën thirrje atyre që munden të ‘qëndrojnë dhe të luftojnë’

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se korridoret humanitare do të hapen për të lejuar që banorët të cilët ndodhen në Mariupol dhe Volnovakha të largohen.
Megjithatë, ai u bëri thirrje atyre që munden të qëndrojnë dhe të luftojnë.
Në një fjalim, Zelenskyy tha: Ne arritëm një marrëveshje për të ofruar ndihmë për ato qytete në Ukrainë që janë në situatën më të rëndë dhe më të keqe, Mariupol dhe Volnovakha, për të shpëtuar fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Për të siguruar mjekim dhe ushqim atyre që qëndrojnë atje në ato vende. Ata njerëz që dëshirojnë të largohen nga këto vende duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë tani duke përdorur korridorin humanitar, por ata që munden duhet të vazhdojnë të luftojnë.
“Deri në 9,000 njerëz mund të largohen nga Mariupoli”

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, ka thënë për BBC se marrëveshja e armëpushimit për dy qytetet e Ukrainës u vendos pak orë më parë.
“Marrëveshja u vendos vetëm pak orë më parë, u njoftua dhe ne konfirmuam se armëpushimi filloi në orën 9 të mëngjesit me orën lokale. Ne filluam menjëherë procedurën tonë për të evakuar banorët. Kemi vënë në dispozicion 50 autobusë dhe mendojmë se 5-6000 njerëz mund të dalin me autobus për në Zaporizhzhia. Njerëzit mund të largohen edhe me makinë private. Ne mendojmë se gjithsej 7-9000 persona mund të ikin me autobus dhe me makinë private, nëse armëpushimi vazhdon. Nuk ka trena që qarkullojnë sepse infrastruktura hekurudhore është shkatërruar nga trupat ruse. Ende nuk kemi garanci nga pala ruse se armëpushimi do të vazhdojë edhe nesër. Po punojmë për këtë tani”, ka thënë ai.
Nis evakuimi i civilëve në Mariupol

Evakuimi i civilëve nga Mariupol tani duhet të jetë duke u zhvilluar sipas afatit kohor të dhënë nga këshilli i qytetit.
Autobusët janë organizuar për të lëvizur njerëzit nga tre pika në qytet. Banorëve u është thënë gjithashtu se ata mund të përdorin transportin e tyre për të udhëtuar në mënyrë të sigurtë përgjatë një rruge specifike në veri-perëndim për në qytetin e Zaporizhzhia gjatë armëpushimit.
Mariupol është bllokuar prej disa ditësh nga forcat ruse.
Armëpushimi është vendosur gjithashtu edhe për qytetin e vogël të Volnovakha.
Më shumë se 66,000 ukrainas kthehen nga shtetet ku jetonin për të luftuar

Pjesa më e madhe e analizës së pushtimit është fokusuar në madhësinë relativisht të vogël të ushtrisë ukrainase, krahasuar me atë të Rusisë.
Ndërsa janë akoma shumë më pak në numër se forcat ruse, më shumë se 66.000 meshkuj ukrainas janë kthyer nga shtetet e tjera ku jetonin për të luftuar për vendin. Këtë lajm e bëri me dije ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleskii Reznikov.
66224. That’s how many men returned from abroad at this moment to defend their Country from the horde. These are 12 more combat and motivated brigades ??! Ukrainians, we are invincible! #FightLikeUkrainian
— Oleksii Reznikov (@oleksiireznikov) March 5, 2022
Një nga ata që vendosën të kthehen është Yuriy Vernydub, një trajner futbolli 56-vjeçar që udhëhoqi Sheriff Tiraspol në një fitore kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve të vitit të kaluar.
Ai tha për BBC se vendosi të kthehej në momentin që djali i tij i telefonoi për t’i thënë se Rusia kishte sulmuar.
Kryebashkiaku i Mariupolit: Nuk ka zgjidhje tjetër për banorët veçse të evakuohen

Kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko, ka dhënë një deklaratë emocionuese pas shpalljes së një korridori humanitar për evakuimin e civilëve.
“Në kushtet e granatimeve të vazhdueshme dhe të pamëshirshme nga pushtuesit, nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’u jepet banorëve mundësia që të largohen të sigurt nga Mariupoli”, është shprehur ai.
Sjellim në vëmendje se më herët Rusia shpalli armëpushimin e përkohshëm për dy nga qytetet e Ukrainës, Mariupoli dhe Volnovakha për lejimin e krijimit të korridoreve humanitare për evaukimin e banorëve.
“Foshnjat po vriten”, ushtari rus i bën thirrje familjes të mos e besojë propagandën e Rusisë

Një ushtar rus i kapur në Ukrainë i është lutur familjes së tij të mos e besojë propagandën e Moskës, duke shtuar se “trupat e Putinit po vrasin fëmijë në Ukrainë”. Ushtari, i cili është kapur nga forcat ukrainase, u bëri thirrje njerëzve që të mos i besojnë asaj që dëgjojnë në televizionin rus, pasi ai pohoi se Kremlini po i “shpëlan trurin” njerëzve.
Përmes një videoje të shpërndarë në Facebook nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, ushtari thotë se e gjithë ajo që po ndodh në Ukrainë është për shkak të Rusisë.
“Ajo që po ndodh këtu në Ukrainë është për fajin e Rusisë. Trupat ruse vrasin njerëz civilë. Foshnjat po vriten”, tha ai.
Ushtari rus, emri i të cilit nuk bëhet i ditur këmbëngul se megjithëse është ‘rob i ukrainasve’, ai është mirë dhe nuk ka ‘asgjë për t’u shqetësuar’, pasi iu dërgon një mesazh qytetarëve rusë.
Korridoret e evakuimit po përgatiten për t’u hapur në dy qytetet e Ukrainës

Në disa pjesë të Ukrainës po përgatiten korridoret e evakuimit, tha ditën e sotme Mykhailo Podoliak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Në Mariupol dhe Volnovakha po përgatiten për hapje korridoret e evakuimit humanitar. Palët pushuan përkohësisht zjarrin në zonën e korridoreve,” tha Podoliak në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.
Më herët të shtunën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se do të ndalojë bombardimet e Mariupolit dhe Volnovakha-s për të lejuar që civilët të largohen në mënyrë të sigurt nga shtëpitë e tyre.
Zyrtarët perëndimorë kanë vënë re një zhvendosje në strategjinë ruse nga objektivat ushtarake tek civilët, me më shumë sulme të fokusuara në qendrat e popullsisë.
Zelensky hedh poshtë akuzat se është arratisur nga Ukraina

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky postoi një video në llogarinë e tij zyrtare në Instagram duke thënë se ai është ende në kryeqytetin Kiev dhe nuk ka ikur nga vendi.
“Çdo dy ditë dalin informacione se unë kam ikur diku, se kam ikur nga Ukraina, nga Kievi, nga zyra ime. Siç mund ta shihni, unë jam këtu në vendin tim, Andriy Borisovich (Yermak) është këtu. Askush nuk ka ikur askund. Këtu ne jemi duke punuar”, tha Zelensky.
“Na pëlqen vrapimi, por tani nuk kemi kohë për këtë”, tha ai me shaka. “Lavdi Ukrainës.”
Zelensky pritet të komunikojë me senatorët amerikanë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të bisedojë me senatorët amerikanë në një video-konferencë gjatë ditës së sotme.
Të gjithë senatorët janë të ftuar që të jenë pjesë e kësaj video-konference.
Kjo vjen pasi Kongresi po shqyrton një kërkesë për 10 miliardë dollarë (7.5 miliardë £) në financim emergjent për Ukrainën, miratimi i së cilës mund të vijë në javën e ardhshme.
Video-konferenca është planfikuar të zhvillohet pasditen e ditës së sotme.
Rusia do të ndalojë përkohësisht sulmet për të lejuar korridoret humanitare për civilët

Media shtetërore ruse po raporton këtë mëngjes se trupat ruse do të ndalojnë së sulmuari në orën 10 të mëngjesit me orën e Moskës për të lejuar korridoret humanitare nga Mariupol dhe Volnovakha.
Ky lajm u raportua fillimisht nga agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar Ministrinë Ruse të Mbrojtjes.
Mbrëmë, kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadim Boychenko bëri thirrje për një korridor humanitar pas një dite tjetër sulmesh nga trupat ruse.
Qyteti në detin Azov, ka qenë pa energji dhe ujë ditët e fundit, pasi Rusia shënjestroi infrastrukturën civile dhe zonat e banuara.












Botërori 2026 
