Pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe adhurimi ndaj Zotit përmes agjërimit të Ramazanit, besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot, 20 mars, festën e shenjtë të Fitër Bajramit ose siç njihet ndryshe, Bajramin e Madh.
Kjo ditë e veçantë simbolizon mëshirën, faljen dhe solidaritetin njerëzor, ku besimtarët ndajnë lëmoshë dhe kujdesen për ata në nevojë, në mënyrë që gëzimi i festës të jetë për të gjithë.
Në Tiranë, ceremonia e madhe e faljes së namazit u zhvillua në sheshin “Skënderbej”, ku mijëra besimtarë u mblodhën për të festuar së bashku këtë ditë të shenjtë, në një atmosferë paqeje, bashkimi dhe shprese.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, theksoi se toleranca fetare është një nga vlerat më të çmuara kombëtare, e cila duhet ruajtur dhe forcuar vazhdimisht si themel i bashkëjetesës dhe harmonisë në shoqëri.
Ai shtoi se është detyrë e çdo besimtari dhe e gjithë shoqërisë që të reflektojë mbi vlerat e paqes, mëshirës dhe solidaritetit, duke u angazhuar konkretisht për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të qetë për të gjithë.

“Mesazhi i fesë islame është i qartë: islami është fe e paqes e mëshirës dhe e drejtësisë dhe solidaritetit. Allahu në kuran e përshkruan të dërguarin e tij mëshirë për botën për tërë botën dhe nuk ka diçka tjetër ndryshe përveç kësaj. Kjo do të thotë se besimtari është thirrur të jetë burim paqeje mëshire dhe drejtësie kudo.
Sot, aty ku ndodhet bota kanë nevojë për më shumë drejtësi për më shumë mirëkuptim dhe për më shumë paqe dhe vëllazëri njerëzore dhe kjo paqe fillon nga zemra e njeriut nga familja nga komuniteti ku ne jetojmë ajo ndërtohet me respekt dhe me kujdes për njëri-tjetrin“, ishte mesazhi i Spahiut.
Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar mëngjesin e kësaj të premteje besimtarët për festën e Bajramit, përmes një postimi në Facebook.
Një brez që po afrohet më shumë me besimin!
Në një intervistë për gazetaren e Klan News, Ermelinda Hoxhaj, nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli tha se ky muaj i shenjtë që po lëmë pas ishte ndryshe nga herët e tjera.
“Ky muaj pati një fluks ndryshe nga vitet e tjera, u pa qartë nga frekuentimi i xhamive gjatë këtij muaji, po ashtu kam qenë që mbrëmë teksa ne bënim përgatitjen për kremtimin e kësaj dite, vinin shumë njerëz që pyesnin dhe interesoheshin.
Edhe prania sot në shesh ishte një dëshmi se tashmë ka ndryshuar qasja e shoqërisë në vendin tonë, nuk është më ai fanatizmi, tërheqja, frika. Secili në atë qetësinë e tij shpirtërore dhe besimin që do të praktikojë. Jemi bërë shoqëri më respektuese ndaj të tjerëve, më vjen mirë që kjo atmosferë ndihet në çdo festë”, tha ai.
Në mbarë qytetet e Shqipërisë, Fitër Bajrami u kremtua në një atmosferë të mbushur me besim, paqe dhe solidaritet.
Qindra besimtarë u mblodhën në sheshe dhe xhami për faljen e namazit, duke shënuar përfundimin e muajit të Ramazanit. Pas faljes, qytetet u gjallëruan nga urimet, vizitat familjare dhe shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë, duke përcjellë mesazhin e mëshirës, bashkimit dhe dashurisë njerëzore që karakterizon këtë festë të shenjtë.
Elbasan
Fier
Shkodër
Lezhë
Dibër
Gjirokastër
Durrës












Botërori 2026 
