Të gjithë banorët në fshatin Vlachioti në Greqi janë tronditur nga vrasja e gruas shqiptare nga duart e bashkëshortit të saj.

Elona, 36-vjeç, u mbyt nga burri, Festimi, 40 vjeç. Shkak dyshohet të jenë bërë debatet mes çiftit, xhelozia dhe sipas autorit të vrasjes, kërkesa e gruas për t’u larguar me të dashurin bashkë me fëmijët.

Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, 40-vjeçari ka pasur dyshime se gruaja e tradhtonte. Gjatë dy ditëve të fundit mes tyre ka pasur tensione të mëdha deri ditën e diel, kur në dhomën e gjumit, 40-vjeçari e mbyti Elonën me duar.

Sipas dëshmisë së autorit të ngjarjes, gruaja i ka thënë se do të merrte fëmijët dhe do të largohej.

Disa orë para ngjarjes së rëndë, Festimi kishte postuar në rrjetet sociale një foto duke përqafuar gruan e duke i treguar të gjithëve dashurinë për të, por askush nuk e dinte që gjithçka do të përfundonte në një tragjedi.

Çifti kishte 2 djem, 8 dhe 10 vjeç, të cilët kur ndodhi vrasja ndodheshin në dhomën tjetër duke fjetur. Ata janë marrë në kujdestari nga vëllai i Elonës, që jetonte në të njëjtin fshat. Festimi dhe Elona punonin në bujqësi./tvklan.al