Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka reaguar pas vendimit për t’u dorëhequr nga detyra të Kimberly Cheatle, tashmë ish-drejtoreshë e Shërbimit Sekret. Përmes një deklarate, Presidenti Biden i shpreh mirënjohjen Cheatle për punën e saj në shërbimin publik në emër të tij dhe bashkëshortes së tij, Jill.

“Ajo është përkushtuar me vetëmohim dhe ka rrezikuar jetën e saj për të mbrojtur kombin tonë gjatë gjithë karrierës së saj në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara”, shprehet Biden.

Më tej, në reagimin e tij Biden thotë se duhet guxim i madh për të marrë përgjegjësinë e plotë për një nga punët më sfiduese në shërbimin publik.

“Duhet nder, guxim dhe integritet i jashtëzakonshëm për të marrë përgjegjësinë e plotë për një organizatë të ngarkuar me një nga punët më sfiduese në shërbimin publik”, shkruan Biden.

Presidenti shton se pret një rishikim të asaj që shkoi keq më 13 Korrik, kur një person i armatosur u përpoq të vriste Donald Trump gjatë një mitingu të këtij të fundit në Pensilvani.

Në deklaratë, Presidenti Biden thekson se së shpejti do të emërojë një drejtor të ri për Shërbimin Sekret që do të zëvendësojë Kimberly Cheatle pas vendimit të saj për t’u dorëhequr nga kjo detyrë./tvklan.al