Vendimi i Apelit për tjetërsimin e pronave në Lezhë, dërgon në qeli bashkëshortët Ndoka

Disa ditë më parë gjykata e posaçme e Apelit vendosi që të rëndonte pozitën e 11 të pandehurve për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun dhe në Shëngjin. Pas shpalljes së vendimit disa nga të dënuarit duhet që të rikthehen në qeli.

Por për herë të parë është krijuar një situatë e pazakontë, pasi togat e zeza kanë dënuar me burg të dy prindërit duke lënë pa kujdestari dy fëmijë të mitur. Avokati Marash Ibraj, mbrojtësi i Mimoza dhe Bledi Ndokës, ka dorëzuar një kërkesë në gjykatë së cilës i kërkon që të shprehet me vendim, se çfarë do të ndodhë me dy të miturit. 

“Kjo gjykatë duhet të shprehet edhe për fëmijët e mitur, për sa kohë është shprehur për babain Blendi Ndoka ‘arrest me burg’, dhe për nënën Mimoza Ndoka e dënuar me burg. Njëri është 3 vjeç dhe tjetri 5 vjeç. Në të gjitha ligjet është e shkruar e zeza në të bardhë duhet pasur parasysh ‘interesi më i madh i fëmijës”.

Mimoza Ndoka në shkallë të parë u dënua me 4 vite shërbim prove ndërsa Apeli e dënoi përfundimisht, me 5 vite e 4 muaj burg. Ndërsa bashkëshorti Bledi Ndoka u cilësua fajtor dhe u dënua me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie. 

Hetimi për këtë çështje ka nisur që në vitin 2016, ndërsa 11 të pandehurit që merreshin me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës u arretuan në Shtator të 2018 gjatë operacionit të koduar “Volvo 4” ku u goditën 4 grupe kriminale. Po ashtu në favor të shtetit kanë kaluar me qindra mijëra metra katorë tokë në bregdet. 

Klan News

/tvklan.al