Gazetari Artan Hoxha thotë se për çështjen e shumëpërfolur “McGonigal” duhet të hapet dhe një hetim në Shqipëri, duke qenë se në dosjen hetimore flitet edhe për zyrtarë shqiptarë dhe takime të ish-zyrtarit të FBI-së në Shqipëri.

I ftuar në emisonin “Opinion” në Tv Klan gazetari Hoxha thotë se në mënyrë që të fashitet mjegulla pas kësaj çështje, duhet që prokurorët shqiptarë të hapin një hetim dhe të provohet a kanë përfshirje apo jo emrat e zyrtarëve shqiptarë që dalin në këtë dosje hetimore.

Artan Hoxha: Kjo është një çështje që për mua, të fashitet mjegulla, duhet të ketë një hetim nga autoritetet shqiptare. Nuk e di se çfarë e pengon një prokuror në këto momente. Kemi një ish-zyrtar të rëndësishëm të FBI-së që në një kohë të caktuar ka luajtur një rol të rëndësishëm në hetimin e influencës ruse në SHBA. Kemi një oligark rus të përfshirë në këtë histori. Kemi një sasi të konsiderueshme parash, por duke pasur parasysh se 500 mijë Euro iu gjetën pastrueses tek tubi, ajo 225-shja duket e vogël. Punokan shumë lirë në krahasim me standardet tona.

Blendi Fevziu: A është Neza dëshmitari kyç?

Artan Hoxha: Sigurisht që ai është në hetim nga lënda që kam parë, padiskutim që njeriu që ka bërë shumë identifikime për hetimin që po bëhet në SHBA që ka saktësuar shumë takime, udhëtime, patjetër që është Neza. Është fakt që deri tani nuk kemi një akuzë të ngritur për korrupsion. Atje nuk ka mbaruar as hetimi dhe as gjykimi. Neza, edhe pse është shtetas amerikan, nuk ka një masë sigurie ndaj tij. Ka shumë të dhëna që të japin se Neza ka bashkëpunuar. Hetimi amerikan ka hetuar më gjerë se çështja e parave. Ne na intereson përfshirja e Kryeministrit të Shqipërisë, të zyrtarëve shqiptarë dhe ky do të bëhet do të bëhet nga autoritetet tona. Me kaq sa kanë dalë tani, unë nuk shoh asnjë pengesë për asnjë prokuror të Shqipërisë që të niste një procedim. Ta thërrasin Personin A dhe B.  Pse të mos ketë një hetim dhe për këtë dhe çfarë të keqe ka qe të provojë a kanë përgjegjësi këta apo jo./tvklan.al