SPAK ka mbyllur hetimet dhe merren zyrtarisht të pandehur 7 persona

Rreth dy vite pas rrëmbimit në Kamëz të Jan Prengës dhe më pas dhunimin deri në vdekje dhe zhdukjen e trupit të pajetë, SPAK ka mbyllur hetimet. Anëtarët e familjes Hajri, pronarë të  kompleksit “Golden” në garazhin e të cilit u dërgua trupi i pajetë i babait të 4 fëmijëve, për t’u zhdukur më pas, janë një hap larg lirisë.

Pushim të hetimit është kërkuar për Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse. Do të jetë gjykata e posaçme ajo që do të thotë fjalën e fundit. Prokuroria ka marrë të pandehur për këtë çështje 7 persona. Janë 2 urdhëruesit Dritan Gramoz Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në Ekuador dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve. Ata dyshohet se në fund të muajit Dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jan Prenga.  

Ndërsa Martin Bleta Korado Keshteja,  Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, akuzohen nga prokuroria për rrëmbimin e Jan Prengës. Në dosjen e SPAK thuhet se urdhri për rrëmbimin e 49-vjeçarit është bërë për shkak se Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi prej 283 kilogramë kokainë në Portin Portsmouth, Angli. Lënda narkotike i përkiste Rexhepit dhe Doçajt. Pasi Astrit Prenga nuk tregoi se ku e kishte dërguar kokainën, ata i rrëmbyen të vëllain i cili nga dhuna humbi jetën. 

Në pamjet e e siguruara nga dosja hetimore rezulton se trupi i 49-vjeçarit është nxjerrë nga automjeti Range Rover dhe është futur në një furgon të bardhë për t’u zhdukur më pas. Ende nuk ka asnjë gjurmë apo informacion se çfarë është bërë më viktimën. Edhe pse janë mbyllur hetimet ende nuk janë identifikuar të gjithë personat që kanë qenë në garazhin e hotelit. Aktualisht në burg është vetëm Festim Bexhdili, kopshtari i cili pastron garazhin nga gjaku i 49- vjeçarit.

Klan News