Është hedhur për konsultim publik, projektligji “Për transplantin e organeve dhe garantimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë në Republikën e Shqipërisë”.

Ky draft, synon të krijojë një kuadër të posaçëm dhe të plotë ligjor në Shqipëri për transplantimin e organeve njerëzore, duke përafruar legjislacionin me Direktivat e Bashkimit Europian, në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Drafti mbulon të gjithë ciklin e organit nga dhurimi, marrja, karakterizimi, ruajtja dhe transporti deri te transplantimi ose asgjësimi.

Sipas nenit 10, dhurimi nga të gjallë apo të vdekur mbetet vullnetar dhe pa pagesë, pa qëllim fitimi dhe pa reklama komerciale, ndërsa për dhuruesit e gjallë lejohet vetëm kompensimi i shpenzimeve të dokumentuara dhe të ardhurave të humbura drejtpërdrejt, krahas vlerësimit mjekësor, regjistrit të posaçëm dhe ndjekjes së tyre.

Marrja dhe transplantimi bëhen vetëm nga subjekte të autorizuara, pas karakterizimit të organit dhe dhuruesit.

Projektligji ka një sërë nenesh që përcaktojnë gjurmueshmëri të plotë nga dhuruesi te marrësi dhe anasjelltas për të paktën 30 vjet, sistem raportimi e hetimi për ngjarjet dhe reaksionet serioze të padëshiruara, trajnim të personelit dhe mbrojtje të rreptë të të dhënave personale e konfidencialitetit.

Si autoritet kompetent caktohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila mbikëqyr, inspekton, jep ose heq autorizimet e organizatave që kryejnë transplantin, mban regjistrat kombëtarë si dhe rregullon shkëmbimin ndërkombëtar të organeve me shtete të tjera.

Aktualisht në Shqipëri ekzistonte Ligji i 2011 për indet, qelizat dhe organet, por në praktikë aktiviteti i transplanteve është i kufizuar dhe kryhet vetëm te dhuruesit e gjallë të cilët bëhen mes familjarëve, si transplanti i veshkës dhe mëlçisë.

Dhurimi i organeve pas vdekjes në Shqipëri mungon, ndryshe nga shumë vende të Europës Perëndimore ku raportohen mbi 20 dhurues kadaverikë për milion banorë në vit.

Klan News

/tvklan.al