19 nëntor 2026- Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias, duke kërkuar ekspertizë ligjore për Ligjin për Financimin e Partive Politike.

Nisma vjen pas dakordësisë së arritur mes palëve në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku u vendos që rregullat për financimin e partive politike të shqyrtohen edhe nga ekspertët e Komisionit të Venecias.

Tv Klan ka siguruar letrën që kryetari i Kuvendit i ka drejtuar Komisionit të Venecias. Konkretisht, Peleshi ka propozuar gjithashtu zhvillimin e një vizite pune të ekspertëve të Venecias pranë Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, me qëllim diskutimin e ecurisë së projektligjit dhe mënyrës se si janë reflektuar rekomandimet e mëparshme të këtij institucioni.

Ndërkohë, diskutimet për reformën zgjedhore vijojnë mes propozimeve të ndryshme të mazhorancës dhe opozitës. Partia Demokratike ka paraqitur një paketë kërkesash që përfshin kalimin në një sistem proporcional kombëtar, me Shqipërinë si një zonë të vetme zgjedhore dhe lista 100% të hapura.

Demokratët kërkojnë gjithashtu lista të hapura për këshillat bashkiakë, barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rishikimin e votës së diasporës dhe një prag zgjedhor që nuk penalizon partitë e vogla.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka vendosur si përparësi ndryshimet që lidhen me reformën territoriale, veçanërisht përshtatjen e formulës së përfaqësimit në këshillat bashkiakë.

Sa i përket kërkesës së demokratëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kalimin në proporcional kombëtar, socialistët janë shprehur të hapur për diskutime.

Megjithatë, si alternativë kanë propozuar reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 101, duke theksuar se ndryshimi i sistemit kërkon një debat më të gjerë, pasi prek edhe Kushtetutën.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i ngritur në nëntor 2025, ka mandat deri në fund të këtij muaji.

Letra e plotë:

Në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në cilësinë time si Kryetar i Kuvendit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e vlefshëm të Komisionit të Venecias në forcimin e institucioneve demokratike, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe përmirësimin e legjislacionit zgjedhor në Republikën e Shqipërisë.

Në vijim të letrës sonë me nr. 1842 Prot., datë 27 prill 2026, nëpërmjet së cilës projektligji “Për financimin e partive politike” iu përcoll Komisionit të Venecias për dhënien e një opinioni, si dhe komunikimeve institucionale të mëvonshme, dëshiroj t’ju informoj mbi progresin e bërë në procesin e hartimit dhe shqyrtimit të këtij projektligji.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i ngritur me Vendimin nr. 74, datë 27 tetor 2025, të Kuvendit, ka përcaktuar si përparësi të parë hartimin e ligjit “Për financimin e partive politike”, si dhe adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR-it.

Në këtë kuadër, janë zhvilluar dy raunde konsultimesh me partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, me synimin për të garantuar një proces gjithëpërfshirës, të mbështetur në standardet ndërkombëtare.

Pas përfundimit të konsultimeve, ekspertët e Komisionit kanë shqyrtuar dhe përfshirë në tekstin e projektligjit rekomandimet dhe sugjerimet e paraqitura nga Komisioni i Venecias, OSBE/ODIHR-i dhe organizatat e shoqërisë civile.

Në kuadër të punës së vazhdueshme për përfshirjen e të gjitha rekomandimeve të përcaktuara në Opinionin e Përbashkët të Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës të Këshillit të Evropës, mbi projektligjin “Për financimin e partive politike”, të miratuar në muajin qershor, dëshirojmë të kërkojmë zhvillimin e një vizite në vend nga relatorët e Komisionit të Venecias në Tiranë.

Qëllimi i kësaj vizite do të ishte diskutimi i rekomandimeve të përfshira në Opinionin e Përbashkët, shkëmbimi i pikëpamjeve mbi progresin e arritur deri më tani, si dhe krijimi i një mundësie për sqarimin dhe shqyrtimin e mëtejshëm të rekomandimeve në kuadër të punës që po vijon, me synimin për të garantuar pasqyrimin e plotë të tyre në projektligjin e rishikuar.