Bardhi, Noka dhe Basha takime të ndara: Përçarja ka shkatërruar PD

Dibra ishte bashkia e radhës e turit të takimeve të Gazment Bardhi dhe Flamur Nokës me demokratët. Kryetari i Grupit Parlamentar, shprehu bindjen se demokratët e bashkuar i fitojnë zgjedhjet e vitit 2025, ndërsa theksoi se ka mësuar nga gabimet e bëra gjatë debatit të brendshëm në PD.

Gazment Bardhi: Nga ato gabime kemi mësuar, jemi të vendosur për të mos i përsëritur, sikundër jemi të vendosur që në këtë periudhë 1 vjeçare të trokasim në çdo shtëpi, në çdo lagje, në çdo qytet për të fituar besimin e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka tha se Dibra është dëshmia e shit-blerjes së votës, ndërsa kërkoi qeveri teknike për organizimin e zgjedhjeve vitin e ardhshëm.

Flamur Noka: Dosja 184 është krimi elektoral më i faktuar dhe më i provuar në historinë e votimeve në Shqipëri. Ka vetëm një rrugë që të shkojmë drejt fitores, qeveri teknike që të marrë përsipër të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por Bardhi dhe Noka nuk ishin të vetmit që takuan demokratët e Dibrës. Edhe pse disa orë diferencë dhe në vende të ndryshme, Lulzim Basha zhvilloi një takim me demokratët nga ku sulmoi PD që drejtohet nga Berisha.

Lulzim Basha: Si u katandis kokoshi në një thelë? U premtua revolucion për përmbysjen e Edi Ramës dhe përfunduan me 2 komisione hetimore me një ligj të ri i cili vetëm hetimin parlamentar nuk mundëson…

Grupi Parlamentar i PD dhe Lulzim Basha kanë nisur procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e 2025, por edhe këtë të ndarë nga njëri-tjetri.

Klan News