“Çmimet e apartamenteve në shitje sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë janë rikthyer në nivelet e një viti më parë, ndërkohë shtrenjtim të mëtejshëm po njohin qiratë. Qytetarët shqiptarë vijojnë të mbështeten nga kredia bankare për blerje banese, ndërkohë që rritje të numrit të shitjeve raportohen në zonat periferike të kryeqytetit.”

Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi, i llogaritur për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, shënoi rënie me 7.6% ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm, duke u rikthyer në nivele të ngjashme me vitin 2022.

Sipas Bankës së Shqipërisë rreth 70% e agjentëve kanë realizuar shitje me çmim të njëjtë ose deri në 5% më pak sesa çmimi i kërkuar, çka mund të jetë një tregues i kërkesës së lartë nga ana e blerësve. Pjesa tjetër kanë raportuar se kanë realizuar shitje me një çmim midis 5% deri në 20% më të ulët nga çmimi fillestar i kërkuar.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë mbi tregun e pasurive të paluajtshme del në konkluzionin se që prej gjashtëmujorit të parë të vitit që lamë pas, është shënuar një rritje e kërkesës për qiramarrje, e përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës. 

Pritjet për ecurinë e tregut vetëm në territorin ku veprojnë agjentët janë në përgjithësi optimiste. Shumica e subjekteve (rreth 2/3) presin që gjatë periudhës së ardhshme, numri i pronave të reja që do të regjistrohen rishtazi në librat e tyre të mos ndryshojë kundrejt periudhës aktuale, ndërkohë që çmimet do të shënojnë rritje.

Tv Klan