“U konfliktuam, më shau e shava dhe unë. Nxori pistoletën i pari, e qëllova nga frika. Nuk jam penduar për krimin e kryer”, kështu raportohet të jetë shprehur në polici, Azgan Mërnica, 23-vjeçari i cili vrau me armë zjarri efektivin e policisë Novruz Cenalia.

Ai u vetëdorëzua mbrëmjen e së mërkurës në policinë e Fierit, pas ultimatumit që iu dha familjarëve nga RENEA, e cila e kishte lokalizuar në fshatin Dërmenas.

Efektivi Novruz Cenalia u vra mesditën e së hënës në fshatin Baltëz, pas një konflikti të çastit me Mërnicën. Një rrugë e ngushtë e fshatit solli fillimisht përplasjen e tyre me fjalë, e më pas i riu nxori pistoletën që kishte me vete duke e qëlluar në kokë policin 28-vjeçar.

Pas krimit Mërnica u arratis dhe dyshohet se qëndroi i fshehur për më shumë se 48 orë me ndihmën e familjarëve të tij. Megjithatë ishin këta të fundit që e dorëzuan në polici, siç shihet edhe në këto pamje që u filmuan nga vetë ata.

23-vjeçari përballet me akuzat; vrasje të punonjësit të Policisë së Shtetit dhe armëmbajtje pa leje./tvklan.al