Më shumë se 48 orë pasi ekzekutoi me plumb në kokë efektivin Novruz Cenalia, RENEA ishte e qartë: Vrasësi duhet të dorëzohej, ose do të ekzekutohej.

Forcat speciale kishin arritur ta lokalizonin, ndaj mundësitë e 23-vjeçarit Azgan Mërnica nuk ishin të shumta. Ai fshihej në fshatin Dërmenas të Fierit dhe përgjatë gjithë kësaj kohe, ishte ndihmuar nga familjarët. Pikërisht këta të fundit ishin dhe ata që u dorëzuan bashkë me të, duke iu bindur ultimatumit të RENEA. Gjatë orëve të darkës e hipën në makinë. Me të ndodhej i ati e daja, por edhe të afërm të tjerë.

Vetëdorëzimi duket të jetë i vetmi veprim pozitiv i 23-vjeçarit, i cili edhe në pamjet video që familja e tij bëri e shpërndau dhe për mediat, shfaqet jo vetëm i qetë, por edhe duke buzëqeshur. Familjarët i japin zemër me fjalë si “rrugë të mbarë” dhe “Zoti para”.

Gjatë natës është marrë në pyetje, por dëshmia nuk është zbardhur ende. Gazetari Besar Bajraktaraj, mëson paraprakisht nga burime se i riu e ka pranuar krimin dhe versionin se gjithçka ndodhi për kalimin në rrugën e fshatit. Vrasësi mësohet se nuk ka shprehur pendesë.

Azgan Mërnica përballet me dy akuza, vrasje të punonjësit të policisë së shtetit dhe armëmbajtje pa leje. Nga vrasja, te arratia, e mosshfaqja e pendesës pozitat e tij nuk janë aspak të favorshme dhe rrezikon dënimin maksimal.

Novruz Cenalia po shkonte për në punë mesditën e së hënës kur fati tragjik deshi që në një rrugë të fshatit Baltëz të përballej pikërisht me 23-vjeçarin Azgan Mërnica. Përplasja me fjalë bëri që të dy të dilnin jashtë mjeteve të tyre, e pikërisht në këtë moment 23-vjeçari nxori pistoletën dhe e qëlloi efektivin për vdekje.

28-vjeçari u përcoll për në banesën e fundit një ditë më parë, në një ceremoni shtetërore. Ai la pas bashkëshorten me të cilën kishte vetëm 1 muaj që ishte martuar, prindërit, motrën e vëllain./tvklan.al