Egnatia është shpallur kampione e fazës së parë të kampionatit shqiptar, pas fitores 1-0 ndaj Teutës në javën e nëntë. Skuadra rrogozhinase siguroi tre pikët e radhës dhe u ngjit në krye të renditjes me 21 pikë, nga 27 të mundshme.
Nëntë javët e para të Superiores kanë dhuruar surpriza, rivalitet dhe gola të shumtë. Në 45 ndeshje janë realizuar 118 gola, me një mesatare prej 2.6 golash për takim.
Egnatia kryeson edhe në aspektin ofensiv, me 18 gola të shënuar, ndërsa Teuta zotëron mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Durrsakët kanë pësuar vetëm tre gola, ndërsa kanë regjistruar dy barazime dhe një humbje.
Në krahun tjetër, Partizani ka pasur vështirësi të mëdha në prapavijë, duke pësuar 21 gola në nëntë javë. Tirana paraqitet me një bilanc të barabartë, me 13 gola të shënuar dhe po aq të pësuar.
Edhe gara për golashënuesin më të mirë ka nisur të marrë formë. Karrica i Vorës kryeson listën me gjashtë realizime, duke qenë përgjegjës për më shumë se gjysmën e golave të shënuar nga skuadra e tij, e cila ka realizuar gjithsej 10 gola.
Renditja pas fazës së parë tregon një kampionat të hapur, ku diferencat mes skuadrave janë ende të luhatshme. Nga Egnatia në vendin e parë deri te Partizani në fund të tabelës diferenca është 17 pikë.
Ndërkohë, Laçi, Elbasani dhe Vora kanë nga 11 pikë, duke ndarë të njëjtën kuotë në klasifikim. Për t’u harruar mbetet kjo fazë edhe për Vllazninë.
Ndryshimet në stafin teknik nuk kanë sjellë deri më tani rezultatet e pritshme në kampionat, me shkodranët që kanë grumbulluar vetëm tetë pikë pas nëntë javësh. Faza e parë mbyllet kështu me Egnatian në krye, por me shumë pikëpyetje për vazhdimësinë.
Lufta për titullin, zonën europiane dhe mbijetesën pritet të sjellë rivalitet edhe më të madh në javët e ardhshme.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
