Në një intervistë për gazetarin Besard Jacaj në Klan News, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka lëshuar akuza të forta ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, duke e cilësuar gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së si një proces thellësisht politik dhe të njëanshëm.
“E kam thënë edhe më parë dhe kam për ta përsëritur deri në fund të jetës sime. Unë e konsideroj gjykimin e Hashim Thaçit dhe të të tjerëve si një proces shumë politik, duke u mbështetur te fakti që BE ka dashur të tregojë se çfarë ka dashur të ndodhë nga pikëpamja e serbëve dhe nga pikëpamja e shqiptarëve të Kosovës. Mendoj se ishte një gjykatë e tmerrshme, fakti që u krijua një gjykatë e tillë dhe se vendimi i tyre ishte shumë i njëanshëm dhe shumë politik, përgjatë procesit.”
Walker deklaroi se pretendimet se urdhrat për krime pasluftës janë dhënë nga udhëheqja e UÇK-së janë qesharake dhe përbëjnë një keqkuptim të plotë të realitetit historik.
Ai kujtoi takimet e tij me Slobodan Miloševićin, i cili e cilësonte UÇK-në si një grup kriminelësh, ndërsa mohonte kategorikisht dhunën ndaj shqiptarëve.
Ish-diplomati shtoi se gjatë shërbimit të tij në teren ka parë me sytë e tij krimet masive të forcave serbe, përfshirë masakrën e Reçakut dhe shumë të tjera.
“Mua mu desh që të merresha me Slobodan Miloševićin dhe udhëheqjen e Serbisë, diçka të tillë e kisha bërë në Kroaci. Unë gjatë gjithë jetës isha duke u marrë me krime lufte, por nuk isha duke u marrë me krime lufte me UÇK-në. Miloševići kur e takova, tre herë, gjatë kohës që unë shërbeja në Kosovë, ai më tha se UÇK ishte një grup kriminelësh, një grup vrasësish dhe revolucionarësh të cilët ishin shumë të dhunshëm dhe që duheshin zhdukur. Ai e refuzonte vazhdimisht mënyra se si qeveria e tij, ushtria e tij dhe forcat e policisë ishin duke u marrë me popullsinë shqiptare të Kosovës. Ai në mënyrë kategorike refuzonte faktin se shqiptarët e Kosovës po keqtrajtoheshin. Kur u ktheva në Prishtinë, kur po bëja shëtitje në Prishtinë dhe kur po shëtitja në Kosovë, unë pashë edhe policia serbe ishin duke kryer të gjitha llojet e krimeve. Maskra si e Raçakut, por kjo nuk ishte masakra e vetme, por kishte edhe shumë masakra të tjera nga qeveria e Miloševićit.”
Walker e bëri të qartë se përgjegjësia kryesore për shumicën e krimeve të luftës në Kosovë bie drejtpërdrejt mbi qeverinë e Beogradit, ndërsa UÇK-në e përshkroi si një lëvizje të vogël individësh që u ngritën në armë për t’iu kundërvënë shtypjes serbe.
“Unë konsideroj përgjegjëse qeverinë e Beogradit për shumicën e krimeve të luftës të kryera në Kosovë. Pas luftës…po kishte dhunë ndaj disa prej popullsive serbe dhe shqiptare, të cilat kishin bashkëpunuar me Beogradin. Kishte dhe krime të kryera nga anëtarët e UÇK-së pas luftës në Kosovë, në fund të luftës ata ishin në gjendje që të kërkonin një drejtësi informale për krimet të cilat ishin bërë në Kosovë. Të mendosh se këto urdhra u dhanë nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, apo nga udhëheqja e UÇK-së është diçka qesharake. Është një keqkuptim i asaj që ndodhi. UÇK ishte një grup i vogël individësh q1ë morën armët për të luftuar shtypësin nga Beogradi.”
/tvklan.al












Botërori 2026 
