Përpos emocioneve të bukura dhe adrenalinës që sjell kampionati Europian i Futbollit, sipas ekspertëve ai kontribuon pozitivisht edhe në ekonominë e vendit.

Selami Xhepa, ekspert Ekonomie: Është si një festë e gjatë. Në përgjithësi e dimë të gjithë që në festat e fundvitit apo evenimente të rëndësishme ka një gjallërim të jetës dhe jetës ekonomike që do të thotë që qytetarët konsumojnë më shumë, turizmi konsumon më shumë ç’ka jep një lloj shtytje, krijon një dinamikë pozitive ekonomike. Kështu që është si një festë e gjatë, nëse dikur vetëm ngjarja e Vitit të Ri ishte eveniment dhe kishte një rol të rëndësishëm, por tani kemi një festë shumë më të gjatë e cila mund të luajë një rol jo aq modest sa luajnë rastet e episodeve që janë të shkurtra në kohë.

E kur vjen puna për çmimet e produkteve të ndryshme në ngjarje të tilla të rëndësishme, sipas profesorit Selami Xhepa bizneset duhet të tregohen të kujdesshme me strategjitë e tyre.

Selami Xhepa, ekspert Ekonomie: Rastë të tilla shndërohen edhe në episode për të abuzuar, pra për të rritur artificialisht çmimet dhe për të krijuar një mundësi për të pasur fitime eksesive. Sigurisht që kjo nuk është një gjë e mirë dhe në fakt edhe si strategji biznesi nuk qëndron sepse normalisht që njerëzit mund të shpenzojnë më shumë me çmime më të ulëta se sa më çmime më të larta, ç’ka do të thotë se fitimet nga rritja e sasisë së shitjes do të ishin më të mëdha se sa nga kufizimet që krijon sepse në fakt krijon një lloj nervozizmi tek blerësit në momenti që përballet me një çmim të deformuar. Kështuqë është një strategji jo e këshillueshme biznesi.

Përgjatë gjithë kampionatit Euro 2024, baret dhe restorantet, por dhe “Fan Zonat” e shumta arketojnë të ardhura të konsiderueshme falë këtij eventi futbollistik.

Klan News