Juventusi rikthehet në skenën europiane, me një tjetër sfidë të rëndësishme përballë skuadrës holandeze të AZ Alkmaar. Bardhezinjtë e Luciano Spallettit vijnë në këtë përballje pas dy fitoreve dhe një barazimi, të fundit 2-2 ndaj Rennes.

Në prag të kësaj sfide, trajneri italian ka analizuar gjendjen e skuadrës dhe forcën e kundërshtarit, që vjen në këtë përballje pas dy fitoresh dhe një humbjeje.

“Duhet të presim një ndeshje me shumë vështirësi. Përballë do të kemi një skuadër me identitet të përcaktuar, që kërkon gjithmonë të luajë futboll, të mbajë topin në tokë dhe të ndërtojë aksione përmes cilësisë teknike dhe bashkëpunimit. Ne duhet të jemi një skuadër me ide të qarta dhe t’i zbatojmë ato me forcë e vazhdimësi gjatë gjithë ndeshjes, ashtu siç bëmë ndaj Napolit”, tha Spalleti.

Sa i përket objektivave të sezonit, Juventusi synon të rikuperojë pozicionet në kampionat, ku aktualisht renditet në vendin e shtatë të Serisë A, me synimin për të siguruar një vend mes katër skuadrave të para.

Paralelisht, bardhezinjtë mbajnë të hapur edhe ambicien për të triumfuar në Europa League. Megjithatë, Spalletti nuk preferon të përcaktojë një objektiv mbi tjetrin.

“Nuk e kam vendosur se cila është rruga kryesore për të arritur objektivin. Duhet të ecim përpara dhe të përballemi me çdo situatë, duke besuar se kemi cilësitë për të luajtur hapur ndaj çdo kundërshtari. Rikthimi gradual i disa lojtarëve në grup na jep gjithashtu shumë besim”, tha Spalleti.

Ndërkohë, trajneri ka dhënë edhe disa sinjale për formacionin që pritet të zbresë në fushë. Në repartin ofensiv, tekniku italian pritet t’i besojë Kolo Muanit, me Boga dhe Woltemade që plotësojnë treshen e sulmit.

Nga minuta e parë pritet të aktivizohet edhe Cambiaso, ndërsa McKennie do të mungojë për shkak të dëmtimit. Përballja me AZ Alkmaar nis sonte në orën 21:00.

Klan News

/tvklan.al