Miliona besimtarë myslimanë anembanë botës kremtojnë Fitër Bajramin, festën që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Por në Lindjen e Mesme nuk ka festë, por vetëm përjetime ankthi.

Ky 20 mars e gjen rajonin në mesin e një konflikti që ka nisur më 28 shkurt, ku sulmet ajrore dhe raketore mes Izraelit, SHBA-ve dhe Iranit nuk kanë kursyer as ditët e shenjta.

Në Rripin e Gazës, palestinezët u mblodhën në sheshin “Saraya” për faljen e namazit.

Ndërkohë, në Jeruzalem, besimtarët u detyruan të faleshin në rrugët jashtë xhamisë Al-Aksa. Prej tre javësh, qasja në vendin e shenjtë mbetet e kufizuar nga policia izraelite, me arsyetimin e parandalimit të viktimave në masë.

“Shpresoj që xhamia Al-Aksa të hapet së shpejti që të mund ta vizitojmë dhe të lutemi brenda saj. Është e dhimbshme ta shohësh Al-Aksan bosh, pa besimtarë”, tha një banor.

Situatë akoma më e rëndë paraqitet në Liban. Në Bejrut dhe Sidon, besimtarët mbushën xhamitë me lutjen e vetme për përfundimin e luftës mes Hezbollahut dhe Izraelit.

Ky front është bërë pika më vdekjeprurëse e pasojave të luftës me Iranin, ku deri më tani raportohen mbi 1 mijë të vrarë dhe 1 milion të shpërngulur në Liban.

“Shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më parë. Nuk ka festë kur dëgjohen vetëm shpërthime”, shprehet një tjetër.

Edhe në Bagdad, në xhaminë e Sheikh Abdul Qadir Al-Kilani, dhe në Kajro, mesazhet ishin të njëjta.

Por edhe në këtë ditë, Izraeli nisi një valë të re sulmesh mbi Teheran, duke shënjestruar infrastrukturën e regjimit iranian.

Nga ana tjetër, Bahrejni, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan sulme me raketa vetëm pak orë para fillimit të festimeve.

Tv Klan

/tvklan.al