Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon qeverisë që të bëjë kujdes me risqet qw mund të implikojnë buxhetin, duke vëne theksin te projektet në partneritet publik-privat.  Për shefin e misionit të fondit në Shqipëri, shumë vende që kanë përdorur praktika të ngjashme janë gjendur në vështirësi për të paguar faturat ndaj kompanive që janë angazhuar. Jan Kees Martijn ishte i drejtpërdrejtë kur kërkoi procedura konkurruese dhe zhdukje të ofertave të pakërkuara.

 “Në shumë vende projektet PPP kanë çuar në probleme financiare nga garancitë e vëna. Prandaj qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme nëse buxheti është i ekspozuar ndaj risqeve”.

Fondi sheh po ashtu risqe edhe në krijimin e detyrimeve të prapambetura, të cilat duhet të shlyhen, pasi kanë shkuar në 0.6 % të prodhimit kombëtar.

 “Ne do të rekomandonim një përshpejtim të uljes së borxhit më të madh se është i programuar. Për të arritur nivelin e e programuar 60% të borxhit publik do të nevojiten korrigjime të tjera fiskale. Mosarritja e këtij objektivi do të cënonte besimin e tregjeve financiare”.

Por kësaj çështje, ministri Ahmetaj i parapriu në fjalën e tij hapëse për konferencën.

 “Nuk kemi divergjenca me FMN por diskutime për skenarë të ndryshëm dhe si do të përballohen këto skenarë.Shumë shpejt do të ndajmë strategjinë e re që përfshin dhe zhdukjen e detyrimeve të prapambetura në 2019 që janë në TVSH dhe pushtetit lokal”.

Njësoj si FMN, që e sheh të ardhmen e ekonomisë dhe zbatimin e reformave e të shtetit ligjor si një rrugë që të hap derën në Bashkimin Europian, edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë ndan të njëjtin mendim, por për të gjithë spektrin politik.

 “Çelja e negociatave me BE duhet parë si element parësor. I gjithë spektri politik të ketë në vëmendje integrimin në Bashkimin Europian”.

Por FMN la disa porosi edhe për bankën: zvogëlim të kredive të këqija, rritjen e mbikëqyrjes në tregun bankar, tashmë që një pjesë e bankave nuk janë në pronësi nga Bashkimi Europian, ndërprerje të ndërhyrjeve në kursin e këmbimit dhe vijimin e luftës kundër pastrimit të parave të pista.

Tv Klan