Mbrëmjen e sotme në Philadelphia zhvillohet sfida e Grupit I mes Francës dhe Irakut, një ndeshje që mund të ketë ndikim të rëndësishëm në rrugën drejt kualifikimit në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026.

Franca e drejtuar nga Didier Deschamps vjen në këtë takim pas fitores në ndeshjen e parë, ku mposhti Senegalin me rezultatin 3-1.

Një paraqitje ku “Gjelat” treguan sërish thellësinë e skuadrës, cilësinë në fazën ofensive dhe aftësinë për të rritur ritmin në momentet vendimtare të lojës.

Me Kylian Mbappé në formë të shkëlqyer dhe me një nga organikët më të kompletuara të turneut, kampionët e botës 2018 dhe finalistët e 2022-s hyjnë në këtë përballje si favoritë të qartë.

Në anën tjetër, Iraku rikthehet në një Botëror pas 40 vitesh mungesë dhe kërkon të gjejë vazhdimësi, por edhe reagim pas humbjes 4-1 ndaj Norvegjisë në ndeshjen e parë.

Ekipi i drejtuar nga Graham Arnold mbështetet te organizimi taktik, intensiteti dhe shpirti i sakrificës, me synimin për të qëndruar sa më gjatë në lojë përballë një prej përfaqësueseve më të forta në botë.

Diferenca në cilësi mes dy skuadrave është e dukshme, megjithatë Iraku pritet të luajë pa frikë, duke kërkuar të shfrytëzojë hapësirat në kundërsulm.

Për Francën, një fitore do të thoshte thuajse sigurim i kualifikimit dhe një hap i madh drejt vendit të parë në grup.

Në letër duket një ndeshje e kontrolluar nga francezët, por historia e Botërorëve ka treguar gjithmonë se surprizat janë të mundshme deri në vërshëllimën e fundit.

Ndeshja nis në orën 23:00 dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Kombëtar Klan.

Klan News

/tvklan.al