Shqiptarët do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian brenda këtij viti.

I këtij mendimi është Ministri i Jashtëm italian, Franko Frattini, ish zv/president i Komisionit Evropian dhe ideatori i një plani të detajuar për integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë ekskluzive dhënë gazetarit Blendi Fevziu për TV Klan zoti Frattini shprehet me optimizëm se procesi për të lejuar qytetarët shqiptarë të lëvizin vetëm me pasaportë nëpër Evropë do të përfundojë në muajin Dhjetor.

Blendi Fevziu: “Keni deklaruar në Shqipëri se brenda vitit 2009 shqiptarët mund të marrin një anije nga Durrësi dhe të shkojnë në Bari pa viza, por mua mu desh vizë për të ardhur këtu.”

Franko Frattini: “Sigurisht, por unë shpresoj se kjo gjë do të mbarojë shumë shpejt. Mendoj se brenda Dhjetorit të këtij viti do të mbarojë dhe do të ndryshojë mekanizimi për të lejuar shqiptarët të lëvizin pa vizë. Ka disa procedura. Disa janë detyra teknike. Qeveria shqiptare po pajis qytetarët me pasaportat biometrike. Është një çështje e rëndësishme e kontrollit të kufijve, të emigracionit të paligjshëm. Më pas duhet marrë një vendim në bazë të raportit të komisionit evropian.”

Zoti Frattini vlerëson se në këtë proces Shqipëria ka bërë hapa përpara me kontrollin e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar, emigracionit klandestin, trafiqeve të paligjshme dhe me pasaportat biometrike dhe duke vënë në dukje këto arritje ai flet edhe për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit në BE duke theksuar se kërkesa duhet të përparojë dhe se është e drejtë që ajo të bëhet e askush nuk mund ta bllokojë atë.

Blendi Fevziu: “Ka gjithmonë skepticizëm për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ka mjaft debate në Tiranë. Cili është opinioni juaj?”

Franko Frattini: “Mendoj se do të jetë e rëndësishme të vlerësohet kërkesa e Shqipërisë pasi ajo ta paraqesë atë sepse s’është paraqitur ende formalisht, por kërkesa duhet të përparojë.”

Blendi Fevziu: “Kryeministri ka thënë se do ta paraqesë këtë në datën 28 Prill, pra gjatë presidencës çeke.”

Franko Frattini: “Mendoj se është e drejtë të bëhet. Ne nuk kemi standarde të dyfishta, por s’mund të bllokohet një kërkesë për aderim.”

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Blendi Fevziu kreu i diplomacisë italiane flet gjithashtu edhe për imazhin e ndryshuar të Shqipërisë në sytë e Perëndimit për zhvillimet ekonomike, prezencën e biznesit italian në vendin tonë, bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e energjisë nukleare, për Kosovën dhe ndikimin e rrugës Durrës-Kukës në zhvillimin e shtetit të ri./tvklan.al

Gazetar: Fatos Hakorja