Rënie drastike e pritshmërive për rritjen ekonomike

Kambanat e recesionit po tingëllojnë fuqishëm në Gjermani, lokomotivën financiare të Bashkimit Europian, duke paralajmëruar zhytjen e gjithë unionit në një krizë të re financiare.

Zëvendëskancelari Robert Habek, që drejton edhe Ministrinë e Ekonomisë njoftoi reduktimin drastik të shifrave të rritjes ekonomike që parashikoheshin këtë vit.

Qeveria gjermane tashmë pret që rritja ekonomike të jetë vetëm 0.2%, një nivel shumë pranë recesionit. Deri më sot pritej që rritja ekonomike për këtë vit të ishte 7 herë më e lartë.

“Gjendja është jashtëzakonisht sfiduese. Duhet të përshpejtojmë reformat, të fuqizojmë konkurrueshmërinë e Gjermanisë në një mjedis global krejtësisht të ndryshuar”, tha ai.

Ekonomia e Gjermanisë bazohet tek shitja jashtë vendit e prodhimeve industriale, kryesisht të asaj të rëndë.

Por eksportet kanë pësuar rënie drastike këto 5 vitet e fundit, si pasojë e krizave të njëpasnjëshme si ajo e koronavirusit dhe lufta në Ukrainë.

Ndikim në rënien e eksporteve ka patur edhe zhvillimi i industrisë në vende të tjera të botës, veçanërisht në Azi, duke bërë që mallrat gjermane të zëvendësohen nga ato me kosto shumë herë më të lira të këtyre shteteve.

Tv Klan