Igli ishte 15 vjeç kur shkeli ligjin për herë të parë vetëm që të ndiqte ëndrrën e muzikës. Përfundoi në shkollën e riedukimit për disa muaj, pas daljes humbi gjyshin dhe nisi të jetonte në një garazh. Më pas, në moshën 18-vjeçare filloi të konsumonte e shiste lëndë narkotike me shpresën se do i mblidhte paratë por nuk ia doli. Ra në prangat e policisë dhe u dënua me 8 vite burg.

Igli ka vetëm pak ditë që ka dalë dhe arsyeja që e ka sjellë në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është gjyshja. Ai dëshiron që takimi i tyre i parë të jetë tregues i ndryshimit të tij.

Igli: Gjatë kohës që kam qëndruar në burg, ajo ëshë munduar të më sjellë ushqime që unë mos të ndihem  ndryshe nga të tjerët dhe e ndieja dhimbjen e saj. Ajo ka lënë ilaçet e veta pa marrë dhe më ka sjellë mua ushqime atje. Unë thosha kur ajo po bën këtë sakrificë për mua, unë s’mund të bëj gjënë më të vogël për atë? Edhe fillova të punoja si berber aty, e kërkoja herë pas here punën si berber te burgu dhe vazhdova të vetëpunësohem. Te sektori kur po vuaja dënimin, qethja bashkëvuajtësit e mi, iu merrja ndonjë kartë telefonike, iu merrja ndonjë paketë, i mblidhja kartat e telefonit dhe i ktheja në ushqime dhe kështu kam mbijetuar që edhe gjyshen mos ta rëndoja se edhe asaj i shpëtonte goja, më thoshte mua kam marrë ilaçet borxh. Aty unë e kuptoja që ajo nuk merrte ilaçet e veta që të më sillte mua ushqime. Shkonte te posta, ajo është me patericë, javë për javë ose dy herë në javë ka pasur raste e ka shkuar, ka paketuar ushqimet në kuti dhe m’i ka sjellë.

Igli vuajti dënimin për 2 vite e gjysmë në Tiranë dhe më pas e transferuan në burgun e Reçit. Atje gjyshja e kishte të pamundur ta vizitonte shpesh dhe ka shkuar vetëm dy herë. Hera e fundit kur janë takuar ka qenë 2 vite më parë. Me lot në sy, ai tregon brengën që i rëndonte.

Ardit Gjebrea: Kur të vinin pakot e gjyshes…

Igli: Nuk më hahej bukë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Igli: Ndonjëherë ushqimi që ha nuk ta shuan mallin për gjyshen, për familjen, mallin për prindin. Nuk më hahej buka. Thosha ndonjëherë më mirë vetëm ta takoj sesa të marr ushqime./tvklan.al