Ditën e sotme kryeministri i Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët himarjotë në lidhje me zgjedhjet që do të mbahen atje më 4 Gusht. Në krah të tij qëndronte kandidati i PS, Vangjel Tavo. Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama bëri të ditur masat të cilat do të merren në sektorin e turizmit.

Ai tha se do të huazohen shumë shembuj nga vendet evropiane për sa i përket ndarjes së plazheve publike dhe atyre private. Sipas tij vija e parë e plazheve do të jetë publike për të gjithë qytetarët.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ne e vumë edhe e kemi zbatuar atë 30% e plazhit publik, por e kemi zbatuar në mënyrë vertikale dhe tani po punojmë edhe me një ekspertizë ndërkombëtare sepse ka modele të tjera, Spanja dhe Franca të cilat e kanë pasur si ne, por e kanë ndryshuar duke e bërë horizontale. Pra do të vendosim një tjetër kriter për tërheqje të çadrave private, do iu zvogëlohet numri, duan të vënë çmimet e larta le t’i vënë, por ama ne do të garantojmë që vija e parë është e publikut, duan të ecin, duan të shtrihet në rërë vetë, le të bëjnë punët e tyre. Gjithmonë do të vendosim një kriter që vija është e lirë.

Kryeministri Rama tha për të gjitha bizneset se duhet të paguajnë një taksë tjetër në bashki. Gjithashtu ai tha se një hap shumë i rëndësishëm i qeverisë do të jetë edhe luftimi i informalitetit.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: E dyta do të vendosim një kriter tjetër për kontributin që duhet të japë çdo operator për bashkinë, është një kontribut i veçantë që quhet “city tasks”  dhe tjetra do të luftojmë me patjetër infromalitetin më shumë sepse po të shohësh doganat, të ardhurat nga doganat, rritja e mallrave  të konsumit është e jashtëzakonshme, ama nga ana tjetër po të shohësh të ardhurat nga kjo rritje ka një infomralitet, po bëjmë një sistem që e kemi filluar prej kohësh për gjurmimin e xhiros me atë të fiskalizimit, por duke shtuar dhe Inteligjencën Artificiale. Nga ana tjetër do i detyrojmë të gjithë bizneset, që të vendosin çmimet në hyrje. Më mirë do të jetë dhe ma ha mendja se shifra fundore do të jetë më e madhe këtë vit, kemi shumë prodhime të bukura, kemi vendosur komplet standarde dhe kritere të tjera. Kështu që ajo që po gatuhet është shumë më cilësore se sa çfarë është gatuar deri më sot.

Duke folur për zgjedhjet në Himarë, Rama u shpreh se tashmë rezultati ishte i ditur, duke iu referuar sondazheve, të cilat sipas tij tregojnë një mbështetje të madhe për kandidatin e PS, Vangjel Tavo.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ne ndërkohë e dimë paraprakisht rezultatin për shkak të kontakteve dhe për shkak të sondazheve. Ne kemi bërë sondazhe, i kemi bërë në fillim, kur u vendos Vangjeli, i kemi bërë para një jave dhe ne e dimë pak a shumë se si do të dalë rezultati. Makineria jonë elektorale është një makineri moderne, partia jonë është organizim, koordinim, kemi shumë potencial për të marrë më shumë. Prandaj them që vitin e ardhshëm objektivi është për të marrë rezultatin më spektakolare të të gjithë këtyre 9 fitoreve radhazi.

Nga ana tjetër vetë kandidati socialist u shpreh se epokës së shfrytëzimit të Himarës ka përfunduar. Sipas tij çështja e gjuhëve është përdorur shpesh për të ngjallur përçarje, ndërkohë që Tavo shtoi gjithashtu se çdo qytetar është i lirë që flasë çdo gjuhë që do.

Vangjel Tavo, kandidati i PS për Bashkinë Himarë: Mbaroi epoka e atyre që kanë shfrytëzuar Himarën dhe himarjotët për interesa të ngushta politike dhe private. Himara është e himarjotëve, ata kanë të drejtë të krenohen me historinë e tyre të lavdishme, me të parët e tyre dhe këtu nuk ka lidhje fare aq gjuha që përdoret, kushdo është i lirë të flasë çfarë të dojë. Unë këtu iu flas njerëzve kush të dojë greqisht iu flas greqisht e kush do shqip iu flas shqip, edhe anglisht po iu flas. Çështjen e gjuhës këtu janë përpjekur që ta përdorin deri diku për të krijuar tymnajë kundër nesh, por u ra edhe kjo. Jemi i gjithë grupi në gatishmëri, jo vetëm për të fituar këtë betejë të datës 4, por për të vazhduar më mbrapa, po bëhemi gati në mënyrë që Himara dhe himarjotët të ndjejnë ndryshimin e madh./tvklan.al