Green Coast është i pari resort që certifikohet me flamurin blu, që është tregues i standardit më të lartë të cilësisë së plazheve. Green Coast i bashkohet në këtë mënyrë 5036 plazheve më të pastra në hartën globale të Blue Flag.

Sipas Eni Metaj përfaqësueses së Blue Flag në Shqipëri, kjo certifikatë vjen pas një procesi të gjatë në plotësimin e disa kritereve rigoroze mjedisore, edukuese, lidhur me sigurinë dhe aksesin në plazhe.

Eni Metaj: Kemi që prej 2020 që kemi marrë këtë nismë. 3 vjet është dashur për certifikimin e plazhit të parë. Në fakt në Europë dhe në glob tashmë bëhet prej më shumë se 35 vitesh. Lindi në Francë dhe më pas u përfaqësua nga gjithë Europa. Është certifikimi më prestigjioz. Gjëja më e rëndësishme që duhet të ketë një plazh është cilësia e ujit. Është kriteri i parë, por jo i vetmi, janë 33 kritere. Është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi dhe edukimi mjedisor pasi ky është një vend me të cilin bëhet plazh, por duhet të jemi të qartë për efektin që kemi në mjedis. Sistemi i menaxhimit të mbetjeve, sistemi i pastrimit, sistemi i trafikut për automjetet, sistemi i kanalizimeve. Hapësirat e dizejnuara për parkim, hapësirat e dizejnuara për pjesën komerciale, hapësira për pjesën turistike. Certifikohet i gjithë plazhi. Domethënë një turist vjen zgjedh të vijë në një plazh që valëvit flamurin Blue Flag dhe në këtë rast ai vlerëson cilësinë e ujit, sigurinë, nëse ka një vrojtues plazhi, nëse ka pajisje të ndihmës së shpejtë, nëse ekziston security për çdo situatë. Një kriter që kemi luftuar dhe ka qenë një nga vështirësitë e mëdha ishte aksesibiliteti për personat me nevoja ndryshe. Duhet të jenë të përfshirë të gjithë.

Sipas përfaqësueses së Blue Flag, ky është një hap shumë i rëndësishëm jo vetëm për Green Coast, por edhe për vendin tonë dhe turizmin në tërësi.

“Besoj se është shenjë shumë e mirë kjo për Shqipërinë”, tha ajo.

Në një kohë kur Shqipëria i ka kthyer sytë nga turizmi më shumë se asnjëherë certifikimi i të parit plazh me Blue Flag është ftesa më e mirë për një sezon veror.

“Blue Flag nuk do të thotë vetëm një plazh i pastër. Ne që të arrinim këtë certifikim na është dashur të përmbushim shumë standarde”, u shpreh Satbere Hoxha, drejtuese e divizionit të aseteve dhe të hospitality.

Më tej ajo shtoi se, “Resorti ofron të gjitha shërbimet që mund të kërkojë dikush që banon qoftë për 12 muaj të viti ose që e përdor një herë në një kohë të caktuar. Aktualisht kemi 8 beach bare, janë për kategori të ndryshme. Kemi një beach bar që është i dedikuar më shumë për pjesën e sporteve. Dhe çmimet janë shumë të përballueshme. Gjithsecili mund ta gjejë veten në një beach bar të caktuar. Kemi beach bare që më shumë janë orientuar drejt familjes, kemi beach bare drejt sportit, sigurisht kemi edhe beach bare që kanë pjesën e festave. Kemi të pozicionuara në pjesën e shëtitores disa restorante të ndryshme”.

Programi Blue Flag administrohet nga “Foundation for Environmental Education” me seli në Kopenhagen, Danimarkë.

Aktualisht janë rreth 51 shteteve pjesëmarrëse në të gjithë botën që janë certifikuar nga Blue Flag si Spanja, Greqia, Franca, Italia, Turqia, të cilat janë të njohura për turizmin dhe standardet më të larta të turizmit./tvklan.al