Eros Grezda ndihmoi në fitoren 2 – 1 të Osijek në fushën e Rijekas. Sulmuesi i Kombëtares  shënoi golin e barazimit me një lëvizje të bukur brenda zonës, duke i hapur rrugë përmbysjes së rezultatit. Grezda thotë se çdo fitore i shërben objektivave të klubit.

“Synimet e mia për këtë sezon është që të bëj sa më mirë që klubi të realizojë objektivat që janë dy vendet e para dhe të fitojë Kupën e Kroacisë.”

Më herët gjatë këtij sezoni futbollisti i Kombëtares i shënoi Dinamo Zagrebit dhe Hajduk Split që janë kundërshtarët kryesorë në Kroaci. 22-vjeçari foli për TV Klan edhe për përvojën e deritanishme te përfaqësuesja e Shqipërisë.

“Deri tani me 3 paraqitje që Panucci më ka dhënë mundësinë që të luaj në formacion, kanë qenë të kënaqshme për mua. Më vjen keq që nuk kam arritur të realizoj, mirëpo besoj se në të ardhmen edhe goli edhe ndeshjet e mira do të vijnë.”

Eros Grezda u grumbullua me Kombëtaren për herë të parë vitin e kaluar, ndërsa debutoi në takimin Itali – Shqipëri i zhvilluar më 24 mars në Palermo./Tv Klan