Jo vetëm teatrot edhe festivalet, por pandemia e Covid-19 po ndryshon strukturën e organizimit të një pjesë të madhe të sfilatave të modës.

Drejtori i Gucci-t, Alessandro Michele, përmes një postimi në Instagram është shprehur se do të braktisë ritualin e lodhshëm të sfilatave duke kaluar në një fazë të re.

Sipas Michele, në vend të kalendarit tradicional të modës, Gucci do të organizojë një takim vetëm 2 herë në vit me publikun, duke shënuar kështu një epokë të re në botën e modës.

Kjo do të thotë se Gucci do të braktisë shfaqjet para-sezonale, si edhe sfilatat e koleksioneve stinore.

Ky vendim erdhi pak javë pasi edhe marka e famshme Yves Saint Laurent zbuloi se nuk do t’i prezantonte koleksionet në asnjë prej sfilatave të parashikuara në 2020-n.

Drejtori artistik i Sain Laurent, Anthony Vaccarello, hoqi dorë nga kalendari tradicional dhe do t’i prezantojë koleksionet në bazë të një perspektive të re, të udhëhequr nga kreativiteti.

Të dyja shtëpitë e modës kanë vendosur që të ndërthurin sfilatën e burrave dhe femrave së bashku, një gjë kjo që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e modës.

Ndërkaq, Java e Modës së Meshkujve në Milano është shtyrë në Shtator të këtij viti, kur do të zhvillohet edhe Java e Modës së Femrave. Ndërsa Java Modës në Londër do të jepet online për të mos krijuar grumbullime. 

Klan Plus