Qyteti i Hamburgut u dogj dhe u shkatërrua nga zemërimi i pandalshëm i protestuesve që erdhën nga të gjithë qytetet gjermane, por edhe shtete të tjera europiane, për të protestuar kundër samitit të G20, ku janë mbledhur liderët botërorë.

Këto janë pasojat e rebelizmit kundër kapitalizmit, luftës dhe ndryshimeve të klimës.

Por mesazhi i fortë i të rinjve europian nuk duket të ketë ndikuar aspak tek liderët e 20 vendeve më të industrializuara të globit. Në ditën e fundit të samitit dy-ditor, bisedimet mes njerëzve më të fuqishëm në botë janë ende të vështira.

Këtë e konfirmoi mikëpritesja e samitit, Kancelarja gjermane Angela Merkel. Negociatat mbi tregtinë e lirë dhe shqetësimin global mbi ndryshimet e klimës u zhvilluan kryesisht mesnatën e kaluar.

Deri tani është rënë dakord vetëm për të shmangur proteksionizmin në çështjen e tregtisë së lirë, ndërsa për shqetësimin më të madh të këtij shekulli, ndryshimet e klimës, udhëheqësit botërore ende nuk po bien në një mendje.

Tv Klan