Dhjetëra banorë të njësisë administrative Gjoricë në Bulqizë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e helmimit nga uji i pijshëm. Si në Spitalin e Bulqizës, por edhe në qendrën shëndetësore, ka pasur një fluks të vizitave me shenja helmimi nga banorët e kësaj zone, kryesisht me të vjella dhe diarre.

Nga analizat e kryera nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë (NJVKSH), ka rezultuar që uji ka qenë i ndotur. Gazetari Neki Feta bëri me dije se autoritetet kanë marrë analizat në disa pika. Ndërkohë në këto ditë janë paraqitur rreth 50 persona në spital me shenjat e helmimit. Mjeku i Qendrës Shëndetësore në Gjoricë tha se ka një tendencë në ulje të personave që dyshohet se mund të jenë helmuar.

“Është thuajse dita e tretë sot që vazhdojmë me rastet. Sot rreth 7-8 vetë kanë qenë që do të thotë se është një numër më i ulët se i djeshmi, të paktën deri në këto momente. Simptomat janë bark e të vjella, dhimbje barku, që është karakteristikë e asaj që tashmë mendohet të jetë, helmimi nga uji. Nuk kanë pasur komplikacione të rënda, shpresojmë të përmirësohet situata”, tha mjeku Telman Veliu.

Ndërsa një banor u shpreh se ka të paktën 4 ditë që ka ndodhur ky problem.

“Ka të paktën  4  ditë që ka ndodhur ky problem. Është një nga arsyet kryesore që njerëzit duhet ta bëjnë lajmërimin se njerëzit vijojnë të pinë ujë. Kemi depozitën e ujit pa asnjë lloj roje. Ne japim lekë dhe shkojmë nëpër spitale  nuk është mirë. 99% ujit ia kam lënë. Aty ia kam lënë nuses. Gocën tre vjeçare e kam pas me të vjella, dhe temperatura. Duhet roja te depozita. Shteti duhet të marrë masa. Këtë e dimë që hedhin klor”, u shpreh ai.

Deri në daljen e analizave përfundimtare, të marra në disa pika të ujësjellësit në Gjoricë, NJVKSH ka kërkuar nga njësia administrative Gjoricë që t’ju kërkojë banorëve të mos e konsumojnë për të pirë ujin e rrjetit. Një situatë e tillë në Gjoricë dhe Shupenzë është e përsëritur, pasi ka pasur disa herë raste të helmimit të banorëve nga uji.

Banorët e 6 fshatrave në njësinë administrative Gjoricë, kishin vuajtur prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm. Banorë e zonës e kanë ngritur vazhdimisht si shqetësim se punimet për ujësjellësin nuk janë cilësore, ndërsa një pjesë e depozitave janë lehtësisht të aksesueshme nga personat e jashtëm dhe janë të ekspozuara ndaj ndotjes. Nga Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Dibër nuk ka pasur asnjë njoftim publik, lidhur me gjendjen e tubacionit dhe veprës së marrjes që furnizon banorët në zonën e Gjoricës.

Klan News

/tvklan.al