Historia e Gjirokastrës ka tërhequr vizitorë edhe në 2026-ën. Ky vit ka nisur mbarë për turizmin në qytetin e gurtë, duke sjellë më shumë turistë se e njëjta periudhë e 2025-ës.

Përveç pazarit karakteristik, tregohet interes edhe për pjesën muzeale. Kalaja e Argjirosë është siti më i vizituar dhe ndalesa për çdo turist që vjen në qytetin e gurtë. Vizitorët vijnë nga shtete të ndryshme, ndërsa kryesojnë evropianët.

Një prej ndalesave kryesore është edhe Muzeu i Luftës së Ftohtë. Vizitorë të ardhur nga vende ish-komuniste, kryesisht, tregojnë interes për këtë muze.

Ata që vizitojnë Gjirokastrën tregojnë interes edhe për shtëpitë karakteristike. Një prej më të njohurave është ajo e shkrimtarit Ismail Kadare. Veçanërisht ata që kanë lexuar veprën e tij hyjnë brenda këtyre ambienteve për të parë se ku ka lindur dhe është rritur gjeniu i letrave shqipe.

Nuk vizitohet vetëm qyteti, por edhe zonat përreth që kanë shumë për të treguar me historinë dhe trashëgiminë e pasur.

Autoritetet janë të fokusuara për të zgjeruar hartën e turistëve me pika të ndryshme ku turistët mund të kenë interes.

Fluksi i turistëve pritet të rritet në muajt e verës kur arrihet edhe piku. Dhe edhe këtë vit Gjirokastra pritet të jetë një nga destinacionet më të vizituara në jugun e vendit tonë.

Klan News

/tvklan.al