Për 6 muajt e ardhshëm, kreu i BE-së, kryeministri hungarez Viktor Orban ka përvetësuar sloganin e Trump, duke synuar ta bëjë Evropën sërish të fortë.

Sipas ministrit të Çështjeve Evropiane, Janos Boka, Hungaria po fokusohet në zgjerimin e shpejtë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke lënë mënjanë Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

“Një politikë zgjerimi e qëndrueshme dhe e bazuar në merita është një nga prioritetet e Presidencës sonë. Ne mbështesim qasjen graduale të vendeve kandidate ndaj programeve të ndryshme të BE-së përpara se të marrin anëtarësimin e plotë. Kemi disa ide konkrete si përfshirja e vendeve kandidate në Zonën e vetme evropiane të pagesave. Integrimi i këtij rajoni i sjell dobi BE-së në aspektin ekonomik, të sigurisë dhe gjeopolitik.”

Synimet e qarta të hungarezëve janë që të hapin një grup të ri kapitujsh me Serbinë dhe të mbyllin shumicën e kapitujve me Malin e Zi. Ata synojnë që të mbajnë konferenca ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të nisur në mënyrë specifike shqyrtimin e kapitujve të parë, një proces i bllokuar për Shkupin nga Sofja dhe për Tiranën nga Athina. Për hungarezët, këto dy vende duhet të përparojnë paralelisht.

Anëtarësimi i plotë në Zonën Shengen për Rumaninë dhe Bullgarinë është gjithashtu në axhendën e Budapestit.

Presidenca hungareze, e cila fillon më 1 Korrik, vjen në një kohë tranzicioni institucional, me një Parlament dhe Komisioni të ri Evropian.

Klan News