Bashkëpunim i FSHF me klubin dhe bashkinë

Në projekt me Bashkinë e Vorës, Federata Shqiptare e Futbollit inauguroi këtë të martë stadiumin e ri të qytetit që ofron kushte moderne e që është bërë realitet në një kohë mjaft të shpejtë falë një investimi madhor që pritet t’i japë një nxitje zhvillimit të futbollit në këtë qytet.

Pasi e ka parë të përfunduar edhe vetë Presidenti i FSHRF Armand Duka shprehu kënaqësinë e ngritjes së këtij impianti që nuk do të kishte qënë i mundur pa një bashkëpunim të gjerë.

“Jam vërtetë i kënaqur që sot jam në këtë impiant të ri që realisht duket i pabesueshëm që mund të ishte në Vorë. Kam parë fotot e ndeshjeve të zhvilluara në këtë stadium shumë pak vite më parë dhe për fat të keq ishte një moçalishte e tërë. Më në fund Vora është futur në hartën e futbollit kualitativ dhe për këtë jam vërtetë shumë i kënaqur që jam sot këtu mes gjithë këtyre mbështetësve të futbollit.

Ky projekt është një bashkëpunim fantastik, shembulli më i mirë i bashkëpunimit me Bashkinë e Vorës, me donatorë të tjerë, drejtuesit e klubit të Vorës, të cilët ishin iniciatorë të këtij projekti. Është një shembull i mirë që tregon se nëse bëhemi bashkë mund të bëjmë shumë gjëra të mira. Infrastruktura është prioritet tashmë i FSHF-së, por asnjëherë Federata e vetme nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Patjetër që duhet bashkëpunim e mbështetje nga të gjithë”, tha Presidenti i FSHF, Armand Duka.

Duka zbuloi se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i një fushe stërvitore në Vorë, ndërsa përmendur edhe projektet e FSHF-së siç është edhe ai “Uniforma Ime” që po i japin një hov zhvillimit të futbollit.

Tv Klan