Guvernatori Sejko: Këshilli Mbikëqyrës i BSH ndryshoi normën bazë nga 1.0% në 1.25%

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se rritja e inflacionit është rreziku kryesor që kërcënon rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të eknomisë se vendit. Këtë e bëri të ditur guvernatori Gent Sejko gjatë një konference.

“Inflacioni shënoi rritje në muajt Prill e Maj, duke regjistruar respektivisht vlerat 6.2% dhe 6.7%. Këto nivele ishin në kahun e sipërm të pritjeve tona. Baza e presioneve inflacioniste ka ardhur në zgjerim. Ndonëse dinamika e inflacionit në këta dy muaj pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, kjo rritje është e pranishme në pjesën më të madhe të artikujve të shportës”.

Ecuria e ekonomisë në periudhën vijuese mbetet subjekt i sfidave serioze sipas Bankës së Shqipërisë.

“Rritja e çmimeve në tregjet botërore, shtrëngimi i kushteve financiare dhe ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, do të kenë një ndikim me kah të kundërt mbi ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në vend. Ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në ngadalësim kundrejt atij të shënuar në tremujorin e parë të vitit, por ai do të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur shëndetin e bilanceve të familjeve dhe bizneseve shqiptare”.

Duke gjykuar sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të dytë brenda pak muajsh normën bazë, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

“Të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.0% në nivelin 1.25%; të rrisë me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 1.9% në nivelin 2.25%;  si dhe të rrisë me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.1% në nivelin 0.25%”.

Në gjykimin e Këshillit, normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm.

Klan News