Ambasadorja e BE në Shqipëri: Arritje të mira dhe ecuri konkrete
Ambasadorja e re e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ishte sot pjesëmarrëse në Konferencën Ndërparlamentare të zhvilluar në Tiranë me temë diskutimi integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane.
Kryediplomatja de Sousa theksoi progresin që Shqipëria ka bërë në disa fusha kryesore në kuadër procesit të anëtarësimit, duke nisur nge reforma në drejtësi, ekonomi e deri te mbrojtja e të drejtave të njeriut.
“Për Shqipërinë, ky projekt ka hyrë në fazë të re, duke hapur grupkapituj dhe mbyllur provizore 3. Shumë arritje të mira që tregojnë se ka një ecuri konkrete. Tregon që edhe e ardhmja evropiane e Shqipërisë po bëhet e prekshme. BE ka njohur ecurinë në fusha të ndryshme, reforma në drejtësi ka shndërruar panoramën e gjyqësorit. Procesi i vettingut, krijimi e fuqizimi i institucioneve të pavarura gjyqësore, barazia gjinore, mbrojtja ndaj dhunës, e drejta e fëmijëve, mbrojtja e të dhënave. Dhe reformat ekonomike po ecin përpara. Është një proces që ndihmon qytetarët që vetë ata të ndjejnë efektin shndërrues që sjell anëtarësimi në BE. Sa më pranë ecni me anëtarësimin, aq më impenjativ bëhet procesi”, tha ajo… (Lexo më shumë)
McAllister: Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë progres të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së
David McAllister, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, deklaroi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë shënuar progres të rëndësishëm në procesin e integrimit në BE.
Gjatë Konferencës Ndërparlamentare në Tiranë, ai theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së për sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
McAllister nënvizoi avancimin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, ndërsa kërkoi vijimin e reformave, veçanërisht në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Ai tha se Parlamenti Evropian do të vijojë të mbështesë të dy vendet në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në BE.
“Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë shumë progres. Presidenti i Unionit përmendi prosperitetin, pra begatinë, sigurinë dhe demokracinë dhe i vendosi në qendër të programit të BE-së dhe zgjerimi kontribuon në të treja këto elemente, të treja këto shtylla, i afron ekonomitë me njëra-tjetrën, i forcon institucionet demokratike dhe ndihmon që të kemi qëndrueshmëri afatgjatë në kontinentin tonë. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka përforcuar se sa rëndësi ka zgjerimi i BE-së dhe të lësh Ballkanin Perëndimor në një pasiguri kaq të gjatë, me mbështetje të vogël për reformat dhe në këtë situatë kjo krijon mundësi që edhe palët e treta të zgjerojnë ndikimin e vet negativ aty.
Bashkimi Evropian duhet t’i çojë përpara negociatat. Sa herë përmbushen kushtet, vendet që bëjnë reforma do ta kenë mundësinë që të kenë besim tek BE-ja, që BE ta mbajë angazhimin që ka ndërmarrë. Shqipëria i ka hapur të gjithë grupkapitujt, të gjashtë grupkapitujt e negociatave. Në maj ka kapur ato standardet e ndërmjetme. Në korrik i ka mbyllur tre kapituj në lidhje me shkencën, studimet, edukimin dhe kulturën dhe me marrëdhëniet me jashtë. Këto arritje pasqyrojnë një punë shumë të madhe të bërë nga qeveria, nga deputetët dhe nga shumë prej nesh që janë të angazhuar për ta parë të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. I duhet njohur kjo gjë Shqipërisë, i duhet vlerësuar. Detyra tani është që të fuqizohet pavarësia gjyqësore, të kemi më shumë rezultate ndaj korrupsionit dhe të sigurohemi që institucionet publike t’i shërbejnë mirë qytetarëve të vetë. Ju nxis që këto reforma t’i ndiqni me po atë vendosmëri.
Mali i Zi është vendi që ka ecur mjaft përpara në procesin e anëtarësimit. I ka hapur të 33 kapitujt dhe ka mbyllur përkohësisht 18 prej tyre. Dhe duke e përfunduar ky proces, çohet një sinjal shumë i fortë në Ballkanin Perëndimor, sinjal që tregon që anëtarësia në BE është e arritshme. Axhenda e këtij programi në Tiranë i jep vëmendje shumë të posaçme rolit të kuvendeve, sepse si deputetë ne miratojmë legjislacionin e nevojshëm për anëtarësi. Ne i kërkojmë llogari qeverive dhe sigurohemi që angazhimet të zbatohen. Ne gjithashtu shqetësimet e qytetarëve i bëjmë pjesë të këtij procesi.
Parlamenti Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe Malin e Zi në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit. Përgjegjësia është shumëpalëshe. Edhe këto dy vende do t’i çojnë përpara reformat, por edhe këto arritje duhet t’i kthejë në hapa të radhës drejt anëtarësimit”, u shpreh McAllister.
Schieder: Shqipëria pararendëse e integrimit në BE
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, vlerësoi progresin e vendit në procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në fazën e fundit të negociatave.
Gjatë fjalës në Konferencën Ndërparlamentare, Schieder tha se 95% e shqiptarëve mbështesin integrimin në BE dhe se vendi ka përparuar ndjeshëm në këtë drejtim.
Ai theksoi se ende mbeten disa kapituj për t’u mbyllur, ndërsa shprehu bindjen se Shqipëria e meriton anëtarësimin në BE deri në fund të kësaj dekade.
“Politika në Shqipëri ofron mjaft sfida, por vetë vendi ofron shumë mundësi njëkohësisht. Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm projekti i së ardhmes, është diçka që e meriton i gjithë kontinenti. Dua edhe unë që të jap kontributin tim për të finalizuar këtë mision historik. Këtu në Shqipëri kemi 95% të popullatës që kërkon integrimin.
Siç e ka thënë dhe Marta Kos Shqipëria është pararendësja e integrimit në BE. Raporti i sivjetshëm është votuar me një shumicë të madhe, kjo tregon që të gjithë e shikojnë përparimin e Shqipërisë. Shqipëria është në përputhje me qëndrimin europian. Ka ende disa kapituj që duhen mbyllur. Shqipëria ka qenë shumë veprore. Tani jemi në fazën e fundit. Shqipëria do të mbyllë kapitujt, Shqipëria meriton që të jetë anëtare e BE në fund të kësaj dekade. Ky është projekt që kërkon të bashkojë të gjithë njerëzit sëbashku”, tha Schieder.
Rama: Evropa të mos na lërë përsëri në baltë
Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në konferencën Ndërparlamentare, tha se Shqipëria është më se e angazhuar për anëtarësimin në BE.
“Ky është shembulli më i mirë i këtij momenti që po kalojmë. Besoj se Shqipëria ka bërë mjaft përparim në dekadën e fundit dhe ka kaluar nga një epokë kur njerëzit gjithmonë mendonin që gjërat do të bëheshin më keq, tani mendojnë se gjërat mund të jenë më mirë. Ne po e jetojmë këtë moment të historisë. Njerëzit kanë kuptuar që vendi e ka aftësinë për të kërcyer edhe më lart, e kanë kuptuar që vendi mundet të bëhet ndryshe. Shumë gjëra po lëvizin dhe ka një zhvillim të dukshëm për këdo. Njerëzit kanë dhe pyetje dhe me të drejtë. Është e natyrshme që këto pyetje të kombinohen edhe me ankthin që të jep koha. Në spektrin e ankthit, pasigurive, të një farë shkalle vetmie që bëhet më shumë e pranishme në jetët tona.
Shumë teori konspirative që kanë shtuar barrën e rëndë sociale. Krahasuar me vendet e BE-së, kemi një përparësi të madhe, pasi ne ende e dashurojmë BE-në dhe nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja. Më shumë merret si e mirëqenë, kurse ne jemi të angazhuar, debatojmë shumë gjëra për së brendshmi, çdo ditë kemi kapacitetin për të gjetur arsye për të mos qenë dakord me njëri-tjetrin, qoftë dhe për hollësi. Për një gjë kemi rënë dakord, që duam të jemi pjesë e Evropës.
Ne shpresojmë shumë që ju të mos na lini përsëri në baltë, se në këtë kohë, se shkon përtej të lënit në baltë, është të lësh dhe vetveten. Nëse Evropa lë në baltë Ballkanin Perëndimor, nuk do të jetë një dështim i thjeshtë, por do të jetë madhor. Edhe pse ka ide të ndryshme, edhe situata të ndryshme, ka prej tyre që janë të zellshëm që ta shohin që kjo gjë të ndodhë tani. Ka dhe të tjerë që ngurrojnë, por shpresoj që të gjithë, pavarësisht zellit dhe ngurrimit, të gjithë të gjejmë rrugën për t’i dhënë botës dhe Evropës një sinjal të fortë”, tha Rama.
Peleshi çel Konferencën Ndërparlamentare: Bën të qarta synimet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot Konferencën Ndërparlamentare me temë “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, e cila u çel nga kryeparlamentari Niko Peleshi.
Në fjalën e tij, Peleshi theksoi mbështetjen për integrimin europian dhe nevojën për të vijuar punën për përmbushjen e angazhimeve.
Ai tha se objektivi i Shqipërisë është mbyllja e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Peleshi vuri gjithashtu në pah rolin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si faktor stabilizues në rajon.
“Kjo konferencë kurorëzon një muaj të vrullshëm europian në Shqipëri. Thelluam gjithashtu dialogun me ambasadorët e tetë vendeve të Bashkimit Europian. Kudo kemi marrë një mbështetje inkurajuese. Integrimi i Shqipërisë në BE ka siguruar një mbështetje të madhe, por duhet që të punojmë edhe më shumë.
Zgjerimi nuk do të fitohet vetëm në sallat e negociatave të BE-së, por në tryezat e familjeve europiane. Ndërtimi i urave të qytetarëve dhe lidhja e komuniteteve janë objektivat kyçe të integrimit në BE. Në vitin 1941 Europa ishte pushtuar nga nazizmi. Europa e lirë u ëndërrua edhe nga shqiptarët, ku kufijtë nuk do të ishin më vija fronti. Ne shqiptarët e kuptojmë me zemër këtë histori, sepse edhe ne përgatitëm një gjysmë shekulli ishim një ishull në mes të Europës.
Kur ai izolim u shemb, studentët nuk dolën me një program politik, por me një thirrje të vetme: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, ky ka qenë manifestimi ynë. Objektivi ynë është i qartë, integrimi në BE. Mbylljen e negociatave deri në 2027 dhe integrimi deri në 2030. Ky është ushqimi ynë nga ADN-ja. Këtë përkushtim e kemi dëshmuar me prona, si vend anëtar i NATO-s. Shqipëria është partnere e përkushtuar e NATO-s dhe SHBA-së, shërben si faktor stabilizues në rajon”, tha Peleshi.
Integrimi në BE/ Rama në Konferencën Ndërparlamentare: Evropa të mos na lërë përsëri në baltë

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, në orën 10:00, Konferencën Ndërparlamentare me temë “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”.
Në aktivitet pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian, si dhe të parlamenteve të vendeve europiane. Diskutimet do të përqendrohen te procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në union.
Konferenca do të përshëndetet nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.












Botërori 2026 