33 vjeç, ende i pamartuar, Ilir Dugolli, shënon diplomatin e parë të Kosovës në Bruksel.

Zyrtarisht ai është i ngarkuari me punë i shtetit të Kosovës pranë mbretërisë së Belgjikës dhe mandati i tij është ende i papërcaktuar pasi pritet miratimi i ligjit për ambasadorët nga kuvendi i Kosovës që do të ndryshojë dhe statusin e tij.

Dugolli është përfaqësues i shoqërisë civile dhe duke vlerësuar eksperiencën e tij akademike qeveria e Kosovës shpreson të ndërtojë para ndërkombëtarëve imazhin e shtetit më të ri të rajonit.

Ilir Dugolli: “Kemi vendosur kontakte menjëherë me Ministrinë e Jashtme, me institucione të tjera, në radhë të parë të Belgjikës ngase akreditimi jonë është në mbretërinë e Belgjikës, do të thotë është në mbretërinë e Belgjikës ndonëse duhet të kuptohet të përcjellim, edhe pritet nga ne të përcjellim edhe të mbulojmë edhe institucionet, të cilat janë të pranishme, mbi të gjitha BE dhe NATO.”

Misioni i Kosovës ka vetëm dy përfaqësues që me buxhet të limituar po studiojnë ambientet me qira ku mund të vendoset zyrtarisht misioni dhe për këtë Ilir Dugolli vlerëson ndihmesën e ambasadorëve shqiptarë.

Ilir Dugolli: “Në aspektin logjistik do të thotë ne jemi në një mision që nuk kemi, ta zëmë, makina. Mund t’i duket gjë triviale, po që nga momenti i arritjes në aeroport ka qenë vetë ambasadorja e Shqipërisë që na ka pritur edhe ky ka qenë kontakti i parë, do të thotë njoftimi i parë me ambasadoren. Po shumë të vlefshme janë aspekte të tjera, do të thotë, sugjerimeve për rrjedhën e gjërave, për zhvillimet këtu, për dinamikën edhe çfarë është më e rëndësishmja se kemi dikë të cilin mund ta konsultojmë”.

Pas dhjetë ditësh në detyrën e re diplomati kosovar u ballafaqua dhe me progres-raportin e parë për Kosovën kur natyrisht kërkesat janë dhe më të larta krahasuar me vendet e tjera të rajonit pasi bëhet fjalë për ndërtimin e një shteti.

Ilir Dugolli: “Ka rekomandime tejet të rëndësishme dhe të jenë të vlefshme për Kosovën edhe kuptohet se është ajo pikë që për mua është tejet e rëndësishme, hapja e rrugës drejt studimit të fizibilitetit, i cili paralajmërohet.”

Ndërsa kritikat për korrupsionin, krimin e organizuar apo trafiqet nuk mund t’i adresohen vetëm qeverisë së Kosovës duke patur parasysh se policia apo kufijtë janë kontrolluar edhe nga ndërkombëtarët qoftë UNMIK apo së fundmi EULEKS, ndaj diplomati Dugolli vlerëson se qeveria e Kosovës do të mbajë parasysh atë pjesë të raportit që i adresohet asaj./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj