Ermal Meta ndodhet në kopertinën e Vanity Fair Italia për këtë muaj, në një intervistë me rrëfime ekskluzive.

Ai përshkruan emocionin kur u baba për herë të parë. Jo, nuk bëhet fjalë për atë të vitit të kaluar kur në jetë erdhi Fortuna, por më herët, kur në shtëpinë e tij erdhën dy vajza të veçanta.

Artisti tregon për rritjen e vështirë nga një baba i dhunshëm dhe frikërat e tij për prindërimin. Rrëfimin e nis me ardhjen në jetë të Fortuna.

“E kam parë ashtu të vogël… të pambrojtur….Edhe pse në të vërtetë dyshimet më të mëdha më kanë filluar më parë, kur u bëra baba tre vjet më parë”, shprehet ai duke habitur gazetaren.

“Unë dhe e fejuara ime, Chiara, së shpejti do të kemi mes nesh dy vajzat e tjera tona që deri më tani kanë qëndruar në një jetimore në Shqipëri. I kemi njohur kur ishin 15 vjeçe, por duke mos qenë të martuar, s’mund t’i birësonim. Në qershor do të mbushin 18 vjeçe dhe mund të vijnë të jetojnë me ne. Por u them që janë tashmë që prej tre vitesh vajzat tona. S’kam folur kurrë…”

Më tej, ai tregon se i kanë njohur duke bashkëpunuar me një shtëpi që ndihmon vajzat e reja të cilat kanë histori të tmerrshme pas tyre. Ermali dhe gruaja e tij kanë vite që i vizitojnë apo i marrin të qëndrojnë në shtëpinë e tyre.

Momenti kur e ndieu që ishte bërë babai i tyre, “ishte kur ato u larguan, një verë, dhe ai kuptoi që s’mund të bënte pa to”. Më pas, një ditë kur vajzat ndodheshin në qytet  bashkë me murgeshën, takohen dhe Ermali i ftoi që të kalonin pushimet me të dhe Chiara. Këtë të fundit s’e kishte pyetur  por sapo ia shpjegoi, ajo pranoi më se e lumtur.

Pas atyre pushimeve ku gjithçka shkoi mirë, erdhi dita që vajzat duhet të largoheshin. Ermali dhe Chiara e gjetën veten në heshtje ndërsa ai shpërtheu në lot. Më pas, ia dolën të merreshin vesh me murgeshën  dhe t’i mbanin për 15 ditë të tjera, madje organizuan edhe një surprizë.

“Sigurisht, s’është e gjitha lule e trëndafila sepse vajzat duke qenë jetime, kanë histori të vështira nga pas. Njëra prej tyre ndalonte çdo lloj kontakti. Me Chiara ishte më mirë, me mua hiç dhe kjo tregonte  traumën që kishte”, shprehet Ermali teksa kujton edhe momentin kur ajo përpara se të largohej, donte ta përqafonte dhe në vend të kësaj, i mbështeti kokën në kraharor. Ky kujtim e përlot ende.

“Ka qenë një kontakt i çmendur, një moment i pabesueshëm, unë u bëra babai i tyre. Kam kërkuar menjëherë  të mësonim si mund t’ia bënim”, thotë ai. Sipas këshillës së murgeshës, vajzat përfunduan gjimnazin në Shqipëri dhe sapo të mbushin moshën  madhore do të jetojnë me ta.

Ai përshkruan edhe momentin kur ua thanë vajzave që do të vinte një tjetër vogëlushe.

“Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm. U panë me njëra-tjetrën… unë i sigurova menjëherë: ‘S’do të ndryshojë asgjë, do të keni një motër më shumë’. Ato përpiqeshin të dukeshin të lumtura. Por e kuptoj sepse në jetimore kur shkojnë çiftet, vajzat më të rritura mbeten gjithnjë mënjanë. Ma kishin shpjeguar ato: të mëdhatë nuk i do askush. Dhe unë iu përgjigja instinktivisht: ‘Por ju dua unë’”, përmbyll ai./tvklan.al