Vetëm pak orë para nisjes së Kupës së Botës, një mosmarrëveshje mes punonjësve dhe kompanive përgjegjëse për shërbimet në stadiumin të Los Anxhelosit rrezikon të krijojë probleme organizative.

Më 12 qershor, ky impiant do të presë ndeshjen hapëse të ekipit kombëtar të Shteteve të Bashkuara kundër Paraguait, por përgatitjet po zhvillohen nën hijen e një greve të mundshme nga rreth 2,000 punonjës të shërbimit. 

Në këtë grevë do të përfshihen kamerierë, baristë, kuzhinierë, pjatalarës, staf pastrimi dhe punonjës të shitjes.

Ata kanë votuar për të autorizuar veprime sindikale nëse negociatat me kompaninë e shërbimeve ushqimore dhe strukturat organizative të FIFA-s nuk sjellin rezultate konkrete.

Megjithëse votimi nuk nënkupton automatikisht fillimin e një greve, ai i jep sindikatës mundësinë për të ndërmarrë veprime në çdo moment.

Në qendër të mosmarrëveshjes janë kërkesat për paga më të larta, përmirësimin e sigurisë në vendin e punës dhe mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve.

Sindikata ka akuzuar kompaninë për ritëm të ngadaltë në negociata dhe për oferta të pamjaftueshme financiare, duke theksuar se disa kategori punonjësish përballen me ngrirje pagash, ndërsa të tjerë përfitojnë vetëm rritje minimale.

Një tjetër kërkesë e rëndësishme është krijimi i një fondi për ndërtimin e banesave të përballueshme për punonjësit.

Përfaqësuesit e punëtorëve kanë vënë në dukje kontrastin mes fitimeve të mëdha që pritet të gjenerojë Kupa e Botës dhe kushteve të punës së stafit që do të shërbejë gjatë eventit.

Sipas tyre, suitat luksoze që po shiten për më shumë se 100 mijë dollarë mund të mos marrin shërbimet e premtuara nëse greva bëhet realitet.

Negociatat pritet të rifillojnë gjatë kësaj jave dhe rezultati i tyre mund të jetë vendimtar për mbarëvajtjen e ndeshjeve të para të Kupës së Botës 2026, e cila do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.

Klan News

/tvklan.al