“X Factor Albania”, spektakli i talenteve në Tv Klan është kthyer në një platformë të rëndësishme për promovimin e artistëve të rinj. Jehona e suksesit të shfaqjes së talenteve ka mbërritur deri në Itali pasi finalja e madhe që do të mbahet më 4 prill ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane.

Në garë kanë mbetur dy vajzat e skuadrës së Arilena Arës, Rigersa e Leandra dhe Salvatore Mete nga  kategoria e Young Zerkës.

Salvatore është i vetmi italian në garë dhe siç shkruajnë mediat kalabreze, “ka pushtuar gjysmëfinalen e ‘X Factor Albania’ me një performancë që ka lënë pa fjalë publikun dhe jurinë”. Më tej, vlerësohet edhe performanca e të tjerëve, ndërsa shkruhet se: “Salvatore ka rrëmbyer skenën”. Këngëtari ka dhënë edhe disa deklarata për median, duke ndarë eksperiencën e tij në spektaklin e yjeve.

“Adrenalina ishte e lartë dhe kam shijuar çdo sekondë”, është shprehur këngëtari. Ai ka përmendur edhe duetin me Fifin, me të cilën performoi “Die with a smile” që ngriti në këmbë publikun. “Ishte fantastike që t’i shihje të gjithë duke kënduar me ne”, ka shtuar Salvatore për videon që ka mbërritur mijëra klikime.

Pas performancës, ai ka treguar se ka marrë një videotelefonatë emocionuese nga dy trajnerët e tij vokalë në Kalabri, RC Voce Produzione, të cilët i kanë shprehur entuziazmin për rezultatin në gjysmë finale.

Mediat italiane i kanë dhuruar mbështetjen e tyre dhe theksojnë se pavarësisht se nuk mund të votohet nga vendi i tij, ai tashmë ka fituar pëlqimin e shumë fansave. Kujtojmë që në sondazh, artisti u vlerësua mjaft mirë nga publiku dhe arritja e tij në finalen e “X Factor Albania” e bën një pretendent të padiskutueshëm për çmimin e madh./tvklan.al