Shteti kanadez pritet të strehoje 1000 afganë që ikën nga regjimi i talebanëve

Qeveria kanadeze është pajtuar që të marrë rreth 1.000 afganë, të cilët për më shumë se pothuajse një vit kanë jetuar në një qendër refugjatësh në Emiratet e Bashkuara Arabe. Këta afganë ikën nga shteti i tyre pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit Gushtin e kaluar.

Reuters raporton se Otava ka rënë dakord që të pranojë refugjatët, të cilët po prisnin të vendoseshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani, autoritetet po shqyrtojnë rastet për të identifikuar se cilët persona i plotësojnë kriteret për tu zhvendosur në Kanada.

Kriteret e Kanadasë për zhvendosjen e qytetarëve nga qendrat përfshijnë pakicat fetare, gratë beqare, shërbyesit civilë, aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët.

Zhvendosja e afganëve pritet të nisë muajin e ardhshëm dhe mund të përfshijë edhe 500 refugjatë të tjerë në qendër, që kanë lidhje me Kanadanë.

E pyetur për këtë marrëveshje, Ambasada kanadeze në Abu Dabi shpërndau njoftimin e Departamentit të migrimit që thotë se prioriteti i Otavës është t’i mbështesë afganët që të arrijnë në Kanada.

Klan News