Spaho: Do të ketë edhe protesta kombëtare paralelisht me procesin e primareve

Menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, deputeti demokrat Edmond Spaho, komentoi takimin Bardhi-Paloka të mbajtur dje në një nga lokalet e Tiranës.

Edmond Spaho:  Unë nuk e di se pse kanë vendosur ta kryejnë takimin diku jashtë  ambienteve zyrtare, por mesa duket afrimi i zgjedhjeve vendore është një arsye më shumë që të mos përsëritet eksperienca e zgjedhjeve të 6 Marsit të vitit të shkuar, por të arrihet që të gjejmë gjuhën dhe të dalim me një kandidatë të përbashkët. Shpresaoj se do e gjejmë, është në interesin e të  gjithëve ne që Partia Demokratike të paraqitet së bashku me aleatët e tjerë dhe e gjithë opozita të paraqitet me një kandidat.

Sapo foli edhe për procesin e primareve, duke treguar me afate se kur do të zgjidhen kandidatët e opozitës për bashkitë e mëdha.

Edmond Spaho: Do shikojmë edhe qëndrimin e aleatëve, a do të marrin pjesë në diskutimet tona apo do të jetë një negociatë me ta për të lënë disa vende të lira në të gjithë numrin e bashkive ku do të konkurrohet. Për 3 nga bashkitë kryesore të vendit, Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin, ne do të përpiqemi t’i përfundojmë më shpejtë se sa afati përfundimtar. Domethënë me një skemë të përafruar ndoshta nga java e tetë e Nëntorit të mund të kemi rezultat, ndërsa për bashkitë e tjera mund të vazhdojmë deri në 4 Dhjetor.

Por, a e kanë ndjerë deputetët demokratë presionin për protesta dhe kur do të organizohen ato?

Edmond Spaho: Po patjetër, presioni ndihet. Për të rrëzuar qeverinë nuk  mjaftojnë protestat një ditore, ne duhet të përgatitemi për një qëndresë të gjatë dhe çdonjëri që merr pjesë në protestë duhet të jetë i qartë që kërkohet sakrificë dhe vendosmëri në arritjen e objektivit.

Deputeti Edmond Spaho foli edhe për protestën e kolëgeve pedagogë për të cilët tha se po mbështetën, ndërsa shtoi se dalja me disa kandidatë nga opozita do të dëmtonte këtë të fundit.

Klan News