9 Nëntor, 2026- Në prag të dy ndeshjeve të fundit në Nations League ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, portieri i Kombëtares, Etrit Berisha u shpreh se objektiv mbetet vendi i parë në grup.
Gardiani kuqezi ftoi gjithashtu tifozët në stërvitjen e parë që do zhvillojë sot kombëtarja e cila do jetë e hapur për publikun.
“Secila ndeshje besoj që ka historikun e vet. Ne duhet të fokusohemi tek objektivi që kemi. Sot do bëhet stërvitja e parë. Dua ti ftoj të gjithë tifozët të cilët duan të na përkrahin në stërvitjë, do jetë e hapur për të gjithë. Për ne është me shumë rëndësi që ti kemi tifozët afër. Objektivit jonë është që të fitohet kjo ndeshje dhe të kemi vendin e parë”, tha Berisha.
Portieri i kombëtares u pyet edhe për kartonin e kuq që mori në ndeshjen ndaj Finlandës ku pranoi se ai rast ndryshoi rrjedhën e lojës, por shtoi se ai moment tashmë është kaluar.
“Gjërat që kanë ndodhur nuk mund të kthehen mbrapa. Gjithsesi ishte një moment ku edhe ndryshoi rrjedha e lojës. Ishte ndoshta edhe fatkeqësi pasi pas një gabimi filloi edhe pranimi i golit edhe e bën më të vështirë gjithçka. E kemi kaluar besoj atë moment. Duhet të fokusohemi tani, gjithçka e kemi në dorën tonë. Besoj se ekipi do paraqitet mirë pasi dëshira është shumë e madhe”, theksoi Berisha.
Gardiani kuqezi tregoi edhe diferencat mes Shqipërisë dhe Finlandës.
“Kemi lojtarë më kualitativë. Ka lojtarë me eksperiencë. Por nuk duhet nënvlerësuar Finlanda dhe e kemi parë edhe në ndeshjen e fundit. Mendoj se kemi marrë një mësim shumë të mirë me San Marinon që nuk duhet të nënvlerësohet kundërshtari”, tha Berisha.
Kombëtarja shqiptare do të luajë më 12 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare” sfidën e parë kundër Finlandës dhe tre ditë më vonë në transfertë me Bjellorusinë, e cila do të zhvillohet në Hungari. Ndeshjet do të transmetohen në TV Klan.
/tvklan.al












Botërori 2026 