9 Nëntor, 2026- Në prag të ndeshjeve ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë në Nations League, futbollisti i Kombëtares, Julian Shehu u shpreh se objektivi i skuadrës është vendi i parë në grup.

Mesfushori kuqezi theksoi gjithashtu se ekipi tani bën një lojë pak më agresive dhe se në fushë do futen për të marrë maksimumin.

“Unë besoj se mënyra se si po luan ekipi tani me lojën pak më ofensive dhe pak më agresive përpara besoj se ka dhënë frytet e veta. E rëndësishme është që ne në fushë të ndihemi mirë dhe të respektojmë e zbatojmë ato detyrat që kërkon trajneri. Përderisa rezultatet janë ato që trajneri kërkon, padyshim që çdo gjë është në rregull. Unë besoj se çdo ndeshje ka vështirësinë e vet dhe patjetër që ne duhet të japim maksimumin dhe ta përgatisim atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Presioni është pjesë e lojës kështu që ne duhet të dimë se si ta përballojmë. Ta bëjmë lojën për të marrë rezultatin maksimal. Patjetër që është objektivi jonë që të qëndrojmë në vendin e parë në grup. Besoj se deri në fund do ja dalim”, tha Shehu.

Futbollisti i kombëtares u ndal edhe tek mbështetja e tifozëve që theksoi se do jetë një shtysë më e madhe për një rezultat pozitiv.

“I vetmi ndryshim është që ne këtë herë luajmë në shtëpi dhe patjetër suporti i tifozëve është shumë i rëndësishëm për ne dhe besoj se kjo do jetë një shtysë akoma më e madhe që ne të marrim maksimumin nga kjo lojë”, u shpreh mesfushori.

Shehu theksoi gjendja e ekipit është shumë e mirë dhe se do jepet maksimumi për të marrë pikët e plota nga dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve.

“Unë besoj se detyrat për mesfushorët nuk janë aq specifike. Besoj se tani detyrat kanë ndryshuar pak për të gjithë ekipin. Mundohemi që të presojmë më sipër dhe të jemi ekip pak më agresiv, kështu që nuk janë disa detyra specifike për ne mesfushorët. Besoj se gjendja e ekipit është shumë e mirë dhe patjetër që jemi gati të japim maksimumin tonë dhe të marrim maksimumin e pikëve në këto dy lojëra”, tha futbollisti i kombëtares.

Mesfushori kuqezi u shpreh se do jap gjithmonë maksimumin për kombëtaren pavarësisht minutave që do ketë në fushë.

“Këto janë zgjedhje që bën trajneri dhe ne si lojtarë patjetër që i respektojmë dhe patjetër që për aq kohë dhe minutazh sa na jepet mundësia ne duhet të japim maksimumin se këtu jemi në fund të fundit për ekipin kombëtar. Nuk jemi për objektivat tona personale. Sa herë të jemi në fushë besoj se duhet të japim maksimumin dhe unë jam një prej atyre që si do që të më jepet mundësia do jap përher maksimumin për kombëtaren”, përfundoi Shehu.

Kombëtarja shqiptare do të luajë më 12 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare” sfidën e parë kundër Finlandës dhe tre ditë më vonë në transfertë me Bjellorusinë, e cila do të zhvillohet në Hungari. Ndeshjet do të transmetohen në TV Klan.

/tvklan.al