Udhëheqësit e 27 qeverive të Bashkimit Evropian do të takohen “në ditët në vijim” për të diskutuar një përgjigje ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë Groenlandën. Kështu njoftoi mbrëmjen e kësaj të diele, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.

Costa thirri takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian pasi ambasadorët e BE-së u mblodhën në Bruksel këtë të dielën për të diskutuar deklaratën e së shtunës të Trump-it, se ai do të blinte Groenlandën dhe do të ndëshkonte me tarifa vendet e BE-së që i dalin përpara.

Sipas një zyrtari të BE-së dhe një diplomati të njohur me planifikimin, samiti po caktohet për të enjten, 22 janar, shkruan Politico.eu.

Takimi i liderëve, do të jetë “fizik”, duke kërkuar pjesëmarrjen e tyre personalisht dhe jo një konferencë virtuale.

Mund të vendosen tarifat prej 93 miliardë euro

Mediat ndërkombëtare raportojnë se shtetet anëtare të BE-së po diskutojnë disa opsione për t’iu përgjigjur kërcënimit të fundit të Trump-it për tarifat, përfshirë vendosjen e taksave hakmarrëse mbi 93 miliardë euro (108 miliardë dollarë) mallra amerikane, sipas disa personave të njohur me bisedimet.

Ambasadorët e BE-së u takuan të dielën në mbrëmje në Bruksel ndërsa përpiqeshin të hartonin një përgjigje të përbashkët ndaj njoftimit të Trump-it se ai do të vendoste tarifa prej 10% mbi tetë vende evropiane më 1 shkurt, në lidhje me veprimet e tyre në Groenlandë.

Ndër opsionet e tjera që po diskutohen është përdorimi i një instrumenti të fuqishëm të njohur si “instrumenti kundër shantazhit”, shtuan burimet, të cilat kërkuan të mbeten anonimë për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve.

Presidenti francez Emmanuel Macron sugjeroi të dielën që blloku duhet të konsiderojë përdorimin e këtij mjeti të ri, megjithëse Franca ishte tërhequr më parë nga përdorimi i tij pasi Trump kishte kërcënuar me hakmarrje.

Vitin e kaluar, BE kishte miratuar tarifa hakmarrëse mbi 93 miliardë euro produkte amerikane, por pezulloi zbatimin e tyre pasi të dyja palët arritën një marrëveshje tregtare. Ligjvënësit evropianë sugjeruan gjatë fundjavës se do të ndalojnë miratimin e asaj marrëveshjeje tregtare, duke cituar lëvizjen e fundit të Trump-it. Gazeta Financial Times raportoi më herët mbi diskutimet për rikthimin e tarifave hakmarrëse.

/tvklan.al