Taulant Balla ka komentuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, drejtuar Partisë Socialiste dhe SPAK-ut për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të socialistëve.
I pyetur nëse PS-ja do t’i kërkojë SPAK-ut autorizim që Veliaj të flasë gjatë mbledhjes së 14 nëntorit, Balla u shpreh se kjo çështje i takon sekretarit të përgjithshëm të partisë.
Ai tha se Veliajn e konsideron mik, por theksoi se kryebashkiaku duhet të përballet vetë me drejtësinë, pa përfshirë Partinë Socialiste. Sipas Ballës, PS-ja nuk është mburojë për askënd.
“Unë mendoj dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë.
Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së. Sa i përket kohëzgjatjes së paraburgimit, jemi në këto kushte për shkak të një nonsensi të krijuar, në shkelje të parimeve bazë të të drejtave të njeriut.
Për sa kohë që një çështje ka shkuar në gjykim, mbajtja në paraburgim është në shkelje të parimeve themelore dhe të vendimit të Gjykatës Europiane. Përballjen me drejtësinë çdo përfaqësues i PS-së e ka më vete. S’bëhemi mburojë. Çdo përfaqësues të mos përfshijë organet e PS-së. Këto vendime i marrin organet e drejtësisë”, u shpreh Taulant Balla.
Kujtojmë se ditën e djeshme kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë kërkesë Sekretariatit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe SPAK-ut, që të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së që zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor.
Ai kërkon që të jetë prezent fizikisht ose përmes një video-konference.
“Masa e arrestit nuk duhet të më privojë nga e drejta e ushtrimit të detyrave politike”, mësohet se ka thënë kreu i bashkisë më të madhe në vend.
“Të më krijohet mundësia të ndjek diskutimet, të marr fjalën dhe të paraqes propozime”, ka shtuar Veliaj.












Botërori 2026 
